Gjykata e Kumanovës i ka shqiptuar dënim me burg prej tre muajsh me kusht, Ardi Saitit, një i ri nga Kumanova, pasi më 28 nëntor të vitit 2025 e ka valëvitur flamurin e UÇK-së dhe Shqipërisë së Madhe.
Saiti në rrjetet sociale e ka publikuar aktgjykimin, në të cilin shihet edhe arsyetimi i gjykatës për dënimin që ia ka shqiptuar atij.
“Më 28 nëntor 2025, rreth orës 21:45 në Kumanovë, në rrugën “Treta MUB” me qëllimi cenimin e sigurisë dhe vetëdije ka shkaktuar urrejtje, ndarje dhe mosdurim mbi baza etnike dhe shtetërore, në mënyrën duke lëvizur në kolonë me 20 automjete e organizuar për festën “Dita e flamurit shqiptar”, si bashkudhëtarë në makinën “Ford”, në dritare ka valëvitur flamurin e të a.q “Shqipëria e Madhe” me dimensione 150×80 cm, si dhe flamurin e të a.q UÇK me dimensione 150×60 cm, me çka ka shkaktuar vëmendje, mosdurim dhe reagime te qytetarët e pranishëm nga bashkësitë tjera etnike”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Në njoftimin e tij në rrjetet sociale, i riu nga Kumanova me ironi u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin me flamuj përndryshe do të dënohen.
Ndryshe, festimi i 28 Nëntorit në Maqedoni çdo vit shkakton reagime në opinionin maqedonas, për shkak të organizimeve dhe festimeve që bëhen nga qytetarët shqiptarë./Telegrafi/

