Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, përmes një postimi në Facebook, e ka quajtur padrejtësi verdiktin e sotëm ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili u dënua me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë.
Ai ngriti shqetësime për mënyrën se si po zhvillohen proceset e gjykimeve në Hagë, raporton IndeksOnline.
“Edhe një padrejtësi, edhe një arsye më shumë për të ngritur seriozisht çështjen e drejtësisë që po administrohet në emër të Kosovës. Drejtësia nuk është vetëm shpallja e një aktgjykimi”.
“Ajo kërkon paanshmëri, integritet, barazi të palëve dhe zbatim të standardeve të njëjta për të gjithë. Çdo proces gjyqësor duhet të garantojë të drejtën e mbrojtjes, shqyrtimin e paanshëm të provave dhe respektimin e plotë të standardeve të një gjykimi të drejtë”, ka shkruar Limaj.
Pos tjerash, ai tha se këto shqetësime nuk duhen anashkaluar.
“Pikërisht për këtë, shqetësimet për mënyrën se si po zhvillohen këto procese nuk mund të anashkalohen. Kosova nuk mund të mbetet vetëm spektatore. Institucionet tona duhet të marrin përgjegjësinë që u takon. Kuvendi duhet të veprojë, ligji duhet të rikthehet në fuqi dhe duhet të hapet një debat serioz për të ardhmen dhe mandatin e kësaj Gjykate. Kosova ka nevojë për drejtësi të vërtetë, për dinjitet dhe për institucione që mbrojnë interesin e shtetit të tyre”.

