Gjermania e drejtuar nga Jurgen Klopp ka turpëruar Holandën e Xavit me rezultat tenistik 5-0, në një superpërballje ku protagonist absolut ishte futbollisti me prejardhje shqiptare, Brajan Gruda.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale 1-0 të “Pancerave”. Pas disa rasteve të mira dhe një shtylle të goditur nga Derry Scherhant (32′), ky i fundit zhbllokoi rezultatin në minutën e 41-të pas një aksioni fantastik ekipor dhe një asistimi nga Joshua Kimmich, shkruan IndeksOnline.
Në pjesën e dytë, gjermanët nuk patën mëshirë për “Tulipanët”. Në minutën e 60-të, Florian Wirtz dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë nga buza e zonës që u ndal në rrjetë pasi preku shtyllën e majtë.
Më pas në skenë doli Brajan Gruda, i cili brenda 12 minutash shkëlqeu me dy asistime dhe një gol, shkruan IndeksOnline.
Gruda harkoi perfekt nga goditja e dënimit, duke gjetur kokën e mbrojtësit Nico Schlotterbeck që e dërgoi topin në rrjetë.
Talenti shqiptar dhuroi asistimin e dytë të mbrëmjes, kësaj radhe për Florian Wirtz, i cili me një goditje spektakulare në ajër (volej) mposhti portierin holandez për herë të katërt.
Pas disa tentativave të rrezikshme (51′ dhe 73′), Gruda gjeti edhe golin e merituar, pasi goditja e Scherhant u ndal në shtyllën e majtë, topi u kthye te Gruda që reagoi shpejt brenda zonës dhe vulosi rezultatin final 5-0.
Në minutën e 82-të, Jurgen Klopp vendosi ta largonte nga fusha Brajan Grudën (duke inkuadruar Lennart Karl), me futbollistin shqiptar që mori duartrokitjet e merituara pas një prej paraqitjeve më të mira të karrierës së tij.

