Trajneri i Comos, Cesc Fabregas, ishte njëri prej emrave të diskutuar nga drejtuesit e Manchester Unitedit për postin e trajnerit, para se të arrihej marrëveshja me Mauricio Pochettinon, raporton “The Athletic”.
Skuadra angleze kishte nisur të bënte plane konkrete për shkarkimin e Michael Carrickut pas humbjes poshtëruese 4-1 në Ligën e Kampionëve në stadiumin “Stadio Sinigaglia” muajin e kaluar, por priti deri në pauzën për ndeshjet e kombëtareve për ta ndërprerë bashkëpunimin me të.
Manchester United ka paguar rreth nëntë milionë funte për ta shkëputur Pochettinon dhe stafin e tij nga kontrata me kombëtaren e SHBA-së, përpara se ta zyrtarizonte trajnerin e ri.
Megjithatë, sipas “The Athletic”, Pochettino nuk ishte aspak zgjedhja e parë në listën e drejtuesve të klubit anglez, të cilët shqyrtuan disa alternativa për ta zëvendësuar Carrickun.
Nuk është sekret se Unai Emery i Aston Villës ishte njëri prej objektivave të parë, por trajneri 55-vjeçar nuk kishte interesim për t’u larguar nga projekti aktual, pasi kishte kontratë deri në vitin 2029.
Një tjetër kandidat potencial ishte trajneri aktual i Brightonit, Fabian Hurzeler, por çmimi i kërkuar për ndërprerjen e kontratës së tij do të ishte 15 milionë funte.
Në mesin e emrave të diskutuar ishte edhe Cesc Fabregas, por sipas raportimit, bisedimet nuk shkuan as deri në një kontakt zyrtar me trajnerin spanjoll apo me drejtuesit e Comos.
Një përpjekje e tillë vështirë se do të kishte sukses, pasi Interi kishte tentuar ta joshte Fabregasin edhe verën e kaluar, por ishte refuzuar kategorikisht nga pronari indonezian i klubit, Mirwan Suwarso.
Ndërkohë, ideja që Como ta lejonte largimin e trajnerit të tij në mes të sezonit do të ishte edhe më e pamundur, sidomos vetëm pak javë pasi skuadra italiane e kishte mposhtur 4-1 Manchester Unitedin në Ligën e Kampionëve dhe më pas kishte shkatërruar RC Lensin me rezultatin e thellë 9-1.

