KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Foda mjaft optimist para duelit me Irlandën: Nuk kemi ardhur për barazim, luajmë për fitore

Foda mjaft optimist para duelit me Irlandën: Nuk kemi ardhur për barazim, luajmë për fitore

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka kërkuar përqendrim maksimal nga futbollistët e tij në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Irlandës, e cila mund të jetë vendimtare për pozitën e dytë në grupin B3 të Ligës së Kombeve.

Në konferencën për shtyp para kësaj përballjeje, Foda ka vlerësuar kundërshtarin, duke paralajmëruar një ndeshje të vështirë dhe me intensitet të lartë.

Megjithëse Kosovës i mjafton edhe një barazim për ta siguruar pozitën e dytë, trajneri gjerman ka bërë të qartë se “Dardanët” do të udhëtojnë me synimin për të fituar.

“Presim që të jetë ndeshje ndryshe nga ajo në Prishtinë, Irlanda ka treguar që është kombëtare e fortë, e ka treguar edhe në ndeshjen ndaj Austrisë në shtëpi. Jemi këtu për rezultat pozitiv dhe dëshirojmë të marrim fitore nesër”, deklaroi Foda.

Ai pret që Irlanda të paraqitet më sulmuese në këtë përballje, ndërsa shpreson që Kosova t’i shfrytëzojë hapësirat përmes kundërsulmeve.

“Një ndeshje shumë e fortë, e vështirë, me intensitet të lartë, e dimë rëndësinë e ndeshjes, ne na mjafton barazimi, por nuk mund të futesh në ndeshje për barazim, duhet të luajmë për fitore. Presim që Irlanda të jetë skuadër më ofenzive, shpresojmë që ndërmjet kundërsulmeve të marrim fitoren në këtë ndeshje”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës.

Foda ka bërë të ditur se përveç Edon Zhegrovës, i cili është larguar nga grumbullimi për shkak të lëndimit, të gjithë futbollistët e tjerë janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme.

“Asnjë futbollist i grupit tonë nuk ka problem, përveç Edon Zhegrovës që është larguar shkaku i lëndimit, të gjithë janë gati”, theksoi ai.

I pyetur nëse Kosova do të përcjellë edhe rezultatet e ndeshjeve të tjera, Foda tha se skuadra e tij është e përqendruar vetëm te përballja me Irlandën.

“Ne jemi të fokusuar, me respekt për kundërshtarin, nuk fokusohemi në përballjet e skuadrave tjera”, deklaroi trajneri.

Sa i përket atmosferës në stadium dhe përkrahjes së tifozëve, Foda theksoi se futbollistët duhet të jenë të përgatitur të luajnë edhe në ambiente të vështira, duke nënvizuar se më e rëndësishmja është që Kosova ta imponojë lojën e saj.

“Nëse flasim për përkrahjen e shikuesve dhe atmosferën, për futbollistët është më mirë të luajnë në atmosferë më impozante, edhe në stadiumet kundërshtare. E rëndësishmë është që imponojmë mënyrën e lojës tonë ndaj Irlandës, dhe në këtë mënyrë që të arrijmë rezultatin që e duam”, tha Foda.

Në fund, përzgjedhësi i Kosovës foli edhe për rrezikun që paraqet sulmuesi irlandez, Troy Parrott, i cili ishte protagonist edhe në ndeshjen ndaj Austrisë.

“Parrott është një lojtar shumë i mirë, i nivelit shumë të lartë, e ka dëshmuar edhe në ndeshjen ndaj Austrisë, kur shënoi në mes të disa mbrojtësve. Futbollist shumë i rrezikshmë, duhet të jemi shumë të fokusuar për ta ruajtur atë nesër”, përfundoi Foda.

Ndeshja Irlandë – Kosovë do të luhet nesër, me fillim nga ora 20:45 në Dublin, dhe do të jetë ndeshja e fundit e grupit për këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.