KORREKT / SOT16 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ymeri: Ndalimi i tregtimit të rrymës me Serbinë rrezikon të mbetet vetëm në nivelin deklarativ

Ymeri: Ndalimi i tregtimit të rrymës me Serbinë rrezikon të mbetet vetëm në nivelin deklarativ

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë nga Serbia nuk garanton ndërprerjen e këtij tregtimi, nëse paraprakisht nuk sigurohet një alternativë për importin e energjisë elektrike.

Kështu vlerëson deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, e cila në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se për shkak të nevojës së Kosovës për energji, tregtia me entitete energjetike serbe mund të vazhdojë edhe pas këtij vendimi.

Sipas Ymerit, Qeveria duhet të lidhë një kontratë për import të energjisë elektrike nga një kompani tjetër, në mënyrë që vendimi të ketë efekt në praktikë. Ajo ka theksuar se problemi nuk qëndron vetëm te deklarimet publike për ndalimin e tregtimit, por te mungesa e zgjidhjeve konkrete për furnizimin me energji.

“Vendimi mund të shërbejë sot si një justifikim për çfarë ka ndodhur më herët, por nuk besoj që mund ta ndalojë tregtinë me entitete energjetike të Serbisë, për shkak që deri më tash ende nuk është bërë një marrëveshje nga ana kombëtare e qeverisë se ku duhet ta marrë energjinë elektrike Kosova. Duke qenë se është shumë në nevojë për energji elektrike, pa marrë parasysh deklaratave sot, prapëseprapë me kushtet tani do të bjerë në tregti me entitete të Serbisë. Kjo mbetet të shihet”, tha Ymeri.

E pyetur për deklarimet e Qeverisë se nuk ka tregtuar asnjëherë drejtpërdrejt me Serbinë, por se këtë e kanë bërë kompanitë përmes zgjedhjeve të tyre, Ymeri ka thënë se përgjegjësia e Ministrisë së Ekonomisë ka qenë mbikëqyrja e këtij procesi dhe lejimi i tregtimit.

Ajo ka theksuar se kritikat e saj nuk kanë qenë se Qeveria ka vepruar si kompani biznesore, por se ka lejuar vazhdimisht tregtinë e energjisë elektrike me entitete serbe.

“Po, Ministria e Ekonomisë nuk është entitet biznesor që të bëjë tregti me kompani, me entitete të Serbisë, por roli i saj ka qenë mbikëqyrja. Këtu është problemi. Nuk di që dikush prej neve ka thënë që qeveria është biznes dhe është duke bërë biznes me entitete të Serbisë, por është duke e lejuar dhe e ka lejuar pambarimisht. Edhe tash nuk është garancë që ka me e ndalë. Ka mundur me qenë veç prononcim publik i Kurtit, po gjërat janë shumë më të thella dhe më të rënda sesa që po portretizohen sot prej qeverisë”, theksoi ajo.

Ymeri ka komentuar edhe arsyetimet, duke thënë se deklarimet e tilla nuk e ndryshojnë përgjegjësinë që sipas saj institucionet kanë pasur në këtë proces.

“E se çka tha zëdhënësi i qeverisë, është çka thotë partia me justifiku veten, po kjo nuk do të thotë që është e drejtë”, potencoi deputetja e LDK-së.

Duke folur për ndikimin e vendimit në sektorin energjetik, Ymeri ka thënë se Qeveria duhet të sigurojë fillimisht një kontratë për import të energjisë elektrike, së paku për një periudhë gjashtëmujore, përmes së cilës do të mundë të sigurohej energjia me çmimin më të lirë.

Sipas saj, nëse nevoja për import mbetet e njëjtë dhe nuk ka një kompani alternative që mund të furnizojë Kosovën, ndalimi i tregtimit me kompanitë serbe mund të mbetet vetëm në nivel deklarativ.

“Në aspektin energjetik, për me pasur ndikim vendimi i sotëm, duhet me bë një kontratë, bile të paktën për gjashtë muaj në kuadër të qeverisë, për me pasë import të energjisë nga një kompani që me marrë çmimin më të lirë. Sado që flitet se nuk ka me marrë prej entiteteve të Serbisë energjinë elektrike, nëse nevoja është si qëndron tani, nuk ka zgjidhje tjetër edhe ashtu, pos me leju tregtinë e energjisë elektrike me entitete serbe”, ka thënë Ymeri.

Ajo ka shtuar se Qeveria duhet të përqendrohet në zgjidhjen e nevojës për import dhe jo vetëm në deklarime publike të cilat sipas saj, mund të shërbejnë për qëllime politike.

“Ideja, qëllimi është në ndaljen e nevojës, po jo në prononcime publike për propagandizëm politik. Mëkati i Kurtit ka qenë në lënie të Kosovës në këtë gjendje, e jo se thotë 'po' ose 'jo' të marrim prej entiteteve serbe energji elektrike. Çka ka bërë sot, e ka pranuar që ka pasur tregti nga entitetet serbe të energjisë elektrike, gjë që e kemi thënë që moti. Tash e ka pranuar. Se a do e ndalojë, nuk vlen kjo veç nëse e thotë”, shtoi ajo.

E pyetur nëse pret që vendimi i miratuar nga Qeveria të zbatohet edhe në ditët në vijim, Ymeri ka thënë se kjo mbetet të shihet, por ka paralajmëruar se pa një kontratë për furnizim përmes Furnizuesit të Shërbimit Universal, importi mund të vazhdojë përmes entiteteve serbe.

“Vendimi mbetet me u pa, po nëse është importi kaq i lartë siç pritet të jetë, nëse ky nuk e ka një kontratë me një kompani të caktuar në kuadër të FSHU-së ose furnizuesit të shërbimit universal, prapëseprapë do të bjerë me një formë ose tjetrën në entitete serbe. Edhe mbetet krejt çka thotë veç një propagandë politike”, ka deklaruar Ymeri për EO.

Ndryshe, Qeveria në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar propozim-vendimin për ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike, përkatësisht blerjes së saj nga kompanitë me origjinë nga Serbia.

Në fillim të mbledhjes, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo masë vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtimin e energjisë nga ana e Serbisë.

Në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe dy vendime të tjera që lidhen me sektorin e energjisë elektrike: shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji dhe vendosjen e obligimit të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit.

Të tria vendimet janë pjesë e masave të Qeverisë për përballimin e sfidave në sektorin e energjisë elektrike dhe sigurimin e furnizimit me energji në vend. /eo

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.