Pas disa orë kërkimesh, sot (16.11.2026), në orën 10:15, në fshatin Kalen, në rajonin e Mariovës, është gjetur alpinisti 62-vjeçar, i cili ishte zhdukur gjatë ecjes malore në afërsi të fshatit Lenisht, Komuna e Prilepit, njoftojnë nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
“Në aksionin e kërkimit morën pjesë zyrtarë policorë, një ekip i NjTKZ – Prilep, QRMK Prilep dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – Prilep, nën koordinimin e Qendrës për Menaxhim me Kriza.
Ngjarja ndodhi dje, në orët e pasdites, kur personi, pas një rrëzimi dhe humbjes së vetëdijes, në orën 16:47 telefonoi numrin e emergjencës 112, me qëllim që të përcaktonte vendndodhjen e saktë ku ndodhej. Me këtë rast, ai bëri të ditur se gjendej ndërmjet fshatit Lenisht dhe manastirit mbi fshat.
Menjëherë pas denoncimit u njoftuan shërbimet kompetente policore, pas së cilës një ekip policor doli në terren dhe filloi kërkimet.
Gjatë një bisede tjetër telefonike, të realizuar në orën 17:10, personi informoi se ishte duke lëvizur në drejtim të fshatit Lenisht, por se bateria e telefonit të tij celular ishte drejt shterimit.
Pavarësisht aktiviteteve të ndërmarra, deri në orën 18:30 personi ende nuk ishte gjetur, ndërsa telefoni i tij celular ishte fikur.
Kërkimet u intensifikuan, me përfshirjen e zyrtarëve të tjerë policorë dhe një ekipi të NjTKZ– Prilep. Gjithashtu, u bë edhe verifikimi në adresën e tij të banimit, me ç’rast u konstatua se ai nuk ishte kthyer në shtëpi”, njoftojnë nga QMK.
Nga atje thonë se pas disa orë kërkimesh, këtë mëngjes personi u gjet në fshatin Kalen, në rajonin e Mariovës. Menjëherë pas gjetjes së tij, një ekip i policisë kufitare u nis drejt terrenit me qëllim që ta marrë në mënyrë të sigurt dhe ta transportojë./Telegrafi/

