Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me këngën nacionaliste dhe hegjemoniste serbe të kënduar në një aktivitet në kuadër të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Tahiri ka kërkuar reagim dhe distancim zyrtar të Bashkimit Evropian nga ky veprim, duke e konsideruar të papranueshme promovimin e mesazheve nacionaliste dhe hegjemoniste në aktivitete të organizuara në kuadër të institucioneve apo forumeve evropiane.
Ajo ka theksuar gjithashtu nevojën që diplomacia e Kosovës të angazhohet më fuqishëm për arritjen e një dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për sigurimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e saj.
Duke kritikuar rezultatet e diplomacisë aktuale, Tahiri ka rikujtuar se që nga përfundimi i mandatit të qeverisë ku ajo kishte qenë pjesë, në vitin 2017, e deri më sot, Kosova nuk ka siguruar asnjë njohje të re nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së.
Në këtë kontekst, ajo ka vënë në pah rëndësinë e një diplomacie më aktive, të koordinuar dhe strategjike, e cila do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.

