KORREKT / SOT15 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Shqiptarët në Kroaci festojnë Ditën e Flamurit me aktivitete kulturore, artistike dhe muzikore

Shqiptarët në Kroaci festojnë Ditën e Flamurit me aktivitete kulturore, artistike dhe muzikore

Komuniteti shqiptar në Kroaci do ta shënojë 28 Nëntorin me një sërë aktivitetesh kulturore, artistike dhe muzikore në Zagreb dhe Osijek, në kuadër të festimeve për Ditën e Flamurit dhe Kulturës Shqiptare.

Programi, i organizuar nga Unioni i Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë në bashkëpunim me shoqata dhe organizata të tjera shqiptare, synon promovimin e historisë, traditave dhe trashëgimisë kombëtare, si dhe bashkimin e shqiptarëve që jetojnë në Kroaci.

Aktivitetet nisin më 15 nëntor, kur përfaqësuesit e Shoqatës së Shqiptarëve Veteranë të Luftës së Atdheut në Kroaci, Esad Kiki Çollaku dhe Tom Kaçinari, do të jenë të ftuar në emisionin “Posebno gostovanje” në televizionin publik kroat HRT 4.

Po atë ditë, në orën 18:30, në Qendrën Kulturore Shqiptare në Zagreb do të promovohet libri “Nëna Terezë dhe populli i saj shqiptar”, nga autorët Don Ndue Ballabani dhe dr. Tonin Çobani, i cili do të prezantohet edhe në gjuhën kroate.

Më 22 nëntor, në Hotel Antunoviç në Zagreb, do të mbahet Festivali Etnografik “Traditat nga rajoni i Hasit – Hapat e Trashëgimisë”, ku do të prezantohen veshjet kombëtare dhe traditat shqiptare.

Programi do të vazhdojë më 26 nëntor me shfaqjen e filmit të shkurtër “Invalidi”, me regji të Dibran Fyllit, ndërsa një ditë më vonë do të organizohet mbrëmje muzikore me këngëtarët Sinan Vllasaliu dhe Gentian Gojani.

Në kuadër të aktiviteteve, nga 28 deri më 30 nëntor në Galerinë e Kristofor Stankoviqit në Zagreb do të hapet edhe ekspozita “Gruaja mes traditës dhe lirisë”, e cila trajton pozitën dhe përfaqësimin e gruas përmes artit dhe kulturës.

Festimet do të përfshijnë edhe qytetin e Osijekut, ku më 28 nëntor, në orën 18:00, Shoqata e Shqiptarëve të Qarkut Osijek-Baranja do të organizojë manifestimin “Ditët e Kulturës dhe Traditës Shqiptare”.

Në këtë aktivitet do të mbahet koncert me këngëtarët Gentian Gojani dhe Shaban Jetishi, të shoqëruar nga Orkestra Akord. Koncerti do të zhvillohet në sallën e lagjes Novi Grad, ndërsa hyrja do të jetë falas.

Përmes këtyre aktiviteteve, shqiptarët në Kroaci po e shënojnë festën kombëtare duke bashkuar muzikën, letërsinë, filmin dhe trashëgiminë kulturore, ndërsa organizatorët synojnë që traditat dhe identiteti shqiptar të promovohen edhe te gjeneratat e reja dhe shoqëria kroate./Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.