Erërat e forta dhe reshjet e shiut kanë bërë dëme në disa fshatra të Deçanit dhe Prizrenit.
Në Hoqë të Prizrenit, një shtyllë e energjisë elektrike është rrezuar buzë një shtëpie, shkruan IndeksOnline.
Pronari i shtëpisë është ankuar se telat e kësaj shtylle kanë rënë në oborrin e shtëpisë, duke rrezikuar kështu familjarët e tij.
“Kam 4 ditë që, rregullisht, po e lajmëroj KEDS-in. Nuk janë duke me marrë parasysh! Unë telat e rrymës i kam midis oborrit të këputur; para derës së oborrit është banderi i rrëzuar. Unë dhe e gjithë familja ime jemi në rrezik të madh, sepse nuk vijnë me i hekë telat e rrymës dhe me e largu banderin. I gjithë fshati ka rrymë, kurse vetëm shtëpia ime nuk ka” ka thënë A.SH.
Ai thotë se më së shumti është i shqetësuar për fëmijët e tij, për të cilët frikësohet se mund të bien në kontakt me energjinë elektrike.
Nga ana tjetër, në Shaptej të Deçanit, është pothuajse e njëjta situatë.
Në një prej rrugëve të fshatit janë rrëzuar disa shtylla, duke shkaktuar rrezik për këmbësorët dhe ata që udhëtojnë me vetura.
Një banor nga ky fshat ka deklaruar për IndeksOnline se një prej shtyllave të rrezuara dje është bartur me kujdes në njërën anë të rrugës, për të liruar rrugën për qarkullim.
Ndërkaq, telat e energjisë kanë mbetur të ngatërruar në tokë, pasi banorët kanë frikë t’i prekin me duar.
Sikurse në Prizren, edhe në Deçan, kontakti i fëmijëve me tensionin që përçojnë telat është shqetësimi kryesor.
Më poshtë pamje:

