Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë është mbajtur një seancë informative lidhur me të drejtat pensionale të mërgimtarëve shqiptarë dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Takimi është organizuar më 12 nëntor 2026, me temën “Të drejtat tuaja në pension sipas Marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Republikës së Kosovës”.
Në të kanë marrë pjesë bashkatdhetarë, përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe qytetarë të interesuar për kushtet dhe procedurat e përfitimit të pensioneve në të dyja shtetet.
Seancën e ka hapur konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, e cila ka theksuar rëndësinë e informimit të vazhdueshëm të mërgimtarëve për të drejtat e tyre sociale dhe pensionale.
Ndërkaq, juristja dhe përfaqësuesja e organizatës EPER, Luljeta Hajzeraj, ka shpjeguar funksionimin e sistemit zviceran të sigurimeve shoqërore dhe procedurat që duhet të ndiqen për realizimin e të drejtave pensionale.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2019. Në bazë të saj, qytetarët e Kosovës mund të realizojnë të drejtat nga sigurimi zviceran i pleqërisë dhe i të mbijetuarve (AHV/AVS), si dhe sigurimi i invaliditetit (IV/AI), nëse i plotësojnë kushtet ligjore.
Për zbatimin konkret të marrëveshjes ka folur edhe Berat Zhinipotoku, udhëheqës i Divizionit për Pensione të Jashtme në Kosovë.
Ai ka trajtuar kushtet për përfitimin e pensionit kontributpagues në Kosovë, dëshmimin e viteve të punës dhe procedurat që duhet të ndiqen në rastet kur qytetarët nuk posedojnë librezat e punës apo dokumentacionin e nevojshëm.
Një nga çështjet e ngritura ka qenë edhe detyrimi për deklarimin e të ardhurave dhe pensioneve pranë institucioneve zvicerane, në rastet kur një gjë e tillë kërkohet me ligj.
Gjatë takimit është sqaruar se përfitimi i një pensioni nga Kosova dhe një tjetri nga Zvicra nuk përbën në vetvete shkelje ligjore. Megjithatë, qytetarët duhet t’i respektojnë kushtet për përfitimin e secilit pension dhe detyrimet për deklarimin e të ardhurave, pasi mosdeklarimi mund të sjellë pasoja financiare dhe juridike.
Aktiviteti është organizuar me iniciativën e Luljeta Hajzerajt, në kuadër të programit “Âge et Migration” të EPER-it, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë.
Në fund të seancës, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të diskutojnë dhe të marrin sqarime shtesë lidhur me çështjet pensionale dhe procedurat administrative./Telegrafi/

