Një grua kosovare ka raportuar në polici se ka qenë viktimë e mashtrimit përmes një SMS telefonik, si pasojë e të cilit i janë marrë para nga kartela e saj bankare dhe nga kartela e firmës.
Ngjarja ka ndodhur më 10 janar 2026, rreth orës 20:01, në Prishtinë.
Sipas ankueses, ajo ka pranuar një mesazh në telefonin e saj në të cilin i kërkohej të përditësonte të dhënat bankare, përndryshe i ishte thënë se nuk do të mund t’i përdorte llogaritë e saj bankare.
Ankuesja ka klikuar në linkun e dërguar në mesazh dhe ka përditësuar të dhënat e kërkuara.
Pas disa minutash, ajo është njoftuar se nga kartela e saj bankare janë tërhequr para, ndërsa nga kartela e firmës së saj janë marrë mijëra euro.
Në konsultim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti për “Lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim të kartelave të bankës apo të kreditit”, ndërsa rasti mbetet në hetime.
Ndryshe, Policia e Kosovës ditë më parë ka bërë thirrje për vigjilencë ndaj qytetarëve pas përhapjes së një fushate mashtruese (phishing) përmes mesazheve SMS, të cilat paraqiten në mënyrë të rreme si dërguar nga Posta e Kosovës dhe institucione tjera.
Sipas njoftimit, këto mesazhe përmbajnë lidhje mashtruese që synojnë marrjen e të dhënave personale dhe të kartelave bankare, me qëllim keqpërdorimin financiar. /Telegrafi/