Qendra e TI-së nga Vushtrria, Innovation Academy, ka marrë pjesë në Web Summit 2026 në Lisbonë të Portugalisë, ku u prezantua përkrah kompanive të teknologjisë, sipërmarrësve dhe investitorëve nga vende të ndryshme të botës.
Inteligjenca artificiale, transformimi digjital dhe e ardhmja e edukimit ishin ndër temat kryesore të diskutimeve, sipas njoftimit të akademisë. Këto tema lidhen drejtpërdrejt me punën e iNNOVATION Academy për t’i pajisur të rinjtë me aftësi teknologjike.
Akademia e cilësoi pjesëmarrjen në Lisbonë si një mundësi për të prezantuar punën e saj dhe për të krijuar kontakte që mund të çojnë në bashkëpunime ndërkombëtare. Sipas saj, forume të tilla u japin bizneseve dhe talenteve nga Kosova mundësinë të prezantojnë idetë e tyre para një audience globale.
Në njoftim, iNNOVATION Academy falënderoi KIESA-n, ministren Mimoza Kusari dhe ambasadoren Edona Maloku për mbështetjen në përfaqësimin e bizneseve kosovare në këtë ngjarje.

