Autoritetet amerikane kanë hequr të premten ndalimin kombëtar të fluturimeve, pasi një problem në sistemin e komunikimit në qendrat e kontrollit të trafikut ajror shkaktoi kaos në aeroportet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas Reuters, hapësira ajrore amerikane u rihap në orën 20:15 sipas kohës lokale, por autoritetet paralajmëruan se rikthimi i fluturimeve në normalitet do të bëhet gradualisht.
Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se do të nevojitet kohë që kompanitë ajrore të rikthejnë oraret e zakonshme të fluturimeve, transmeton Klankosova.tv.
“Do të jetë një proces i ngadaltë”, u shpreh Duffy para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sipas të dhënave të FlightRadar24, mbi 6 mijë e 600 fluturime janë anuluar, ndërsa rreth 8 mijë e 600 të tjera janë vonuar. Ndërkohë, edhe 1 mijë e 500 fluturime të së dielës ishin anuluar paraprakisht.
Problemi la dhjetëra mijëra udhëtarë të bllokuar në aeroporte të ndryshme të vendit.
Duffy bëri të ditur se së bashku me sekretarin e Sigurisë Kombëtare, Markwayne Mullin, kishte diskutuar për këtë ndërprerje me presidentin Donald Trump në Zyrën Ovale.
Sipas Reuters, bëhet fjalë për ndërprerjen më të gjatë të fluturimeve në shkallë kombëtare që nga sulmet e 11 shtatorit 2001.

