Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka marrë pjesë në takimin e Zyrtarëve të Lartë të Procesit të Pragës, të mbajtur më 10 dhe 11 nëntor në Republikën e Çekisë, ku janë prezantuar përparimet e Kosovës në fushën e migracionit.
Delegacioni, i udhëhequr nga shefja e kabinetit të ministrit, Jeta Tela Shema, ka marrë pjesë në takimin që i paraprin Konferencës së Pestë Ministrore të Procesit të Pragës, e cila do të mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë takimit janë prezantuar arritjet në forcimin e koordinimit ndërinstitucional përmes Autoritetit Qeveritar për Migracion, funksionalizimin e Sistemit të Identifikimit Biometrik në pikat kufitare dhe avancimin e kapaciteteve për pritjen dhe mbrojtjen e migrantëve.
Gjithashtu, është prezantuar zhvillimi i Sistemit të Integruar për Menaxhimin e Informatave për Migracionin.
“Kosova konfirmon mbështetjen për Planin e Veprimit 2028–2032, duke shprehur gatishmërinë për të kontribuar aktivisht në zbatimin e prioriteteve të përbashkëta”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Ministria ka theksuar se pjesëmarrja në këtë takim dëshmon përkushtimin e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe avancimin e politikave në fushën e migracionit.

