Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen, me rastin e marrjes së detyrës.
Në letrën e tij, Presidenti Van der Bellen ka vlerësuar marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë ndërtuar mbi bashkëpunimin politik, ekonomik e kulturor, si dhe lidhjet e ngushta ndërmjet qytetarëve të të dyja vendeve.
Ai ka theksuar rëndësinë e komunitetit kosovar në Austri, duke e cilësuar atë si të integruar mirë dhe aktiv në shoqërinë austriake.
"Presidenti Van der Bellen ka shprehur bindjen se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të thellohen edhe më tej si dhe ka shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku në forcimin e këtyre lidhjeve, në të mirë të së ardhmes së përbashkët evropiane" – thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidentes.
Duke riafirmuar përkushtimin e Austrisë ndaj integrimit evropian të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Presidenti Van der Bellen ka siguruar se Austria do të vazhdojë ta mbështesë përparimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe rrugën e saj të reformave.

