KORREKT / SOT13 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Mungesa e barnave onkologjike, rezoluta mbetet pa u votuar për mungesë kuorumi

Mungesa e barnave onkologjike, rezoluta mbetet pa u votuar për mungesë kuorumi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka propozuar një rezolutë në Kuvendin e Kosovës përmes së cilës kërkohet ndërmarrja e masave urgjente për sigurimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë.

Me rezolutën e propozuar kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) të ndërmarrin masa për parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së barnave.

Jashari ka kërkuar që Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i rezolutës, t’i dorëzojë Kuvendit një raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026, ku do të përfshihen barnat onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatja e mungesave, numri i pacientëve të prekur, shkaqet dhe statusi i procedurave të prokurimit.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSUK-së të ndërmarrin menjëherë të gjitha masat ligjore dhe administrative për garantimin e furnizimit të pandërprerë me barna esenciale për pacientët onkologjikë dhe parandalimin e ndërprerjes së terapive për shkak të mungesës së stokut. Ministria e Shëndetësisë, brenda 15 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, t’i dorëzojë Kuvendit raport të plotë për periudhën 1 janar – 22 tetor 2026, me listën e barnave onkologjike që kanë munguar. Kohëzgjatjen e mungesave, numrin e pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusin e procedurave të prokurimit”, tha ajo.

Po ashtu, rezoluta parasheh krijimin e një mekanizmi të paralajmërimit të hershëm dhe përcaktimin e stokut minimal sigurues për barnat kritike onkologjike, me qëllim që procedurat e furnizimit të nisin para se rezervat të arrijnë nivelin kritik.

Jashari ka propozuar gjithashtu që Ministria e Shëndetësisë, brenda 30 ditëve, ta analizojë bazën ligjore dhe financiare për krijimin e një mekanizmi që do të shqyrtonte mundësinë e rimbursimit të shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve që kanë blerë vetë barna nga lista esenciale, për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik.

“Ministria e Shëndetësisë dhe SHSUKK-ja të krijojë dhe zbatojë një mekanizëm të paralajmërimit të hershëm dhe të stokut minimal sigurues për barnat onkologjike kritike, me përgjegjësi të përcaktuar dhe afate të qarta për inicimin e procedurave të furnizimit para se stoku të arrijë në nivel kritik. Ministria e Shëndetësisë të analizojë bazën ligjore dhe financiare dhe, brenda 30 ditëve, t’i raportojë Kuvendit për mundësitë e krijimit të një mekanizmi për shqyrtimin e rimbursimit të shpenzimeve të dokumentuara të pacientëve që janë detyruar të blejnë vetë barna të listës esenciale për shkak të mungesës së tyre në sistemin publik”, tha ajo.

Në propozim përfshihet edhe evidentimi i përgjegjësive institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbociklib, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026.

“Ministria e Shëndetësisë të evidentojë përgjegjësitë institucionale për dështimet ose vonesat në planifikim, prokurim dhe furnizim me palbuciklip, biomicinë dhe barna të tjera onkologjike që kanë munguar gjatë vitit 2026, dhe të njoftojë Kuvendin për masat e ndërmarra. SHSUK-ja të vazhdojë dhe standardizojë publikimin e rregullt të qasshëm dhe të përditësuar të gjendjes së stokut të barnave esenciale në klinikën e onkologjisë, duke përfshirë edhe njoftimin për mungesa të pritshme dhe afatin e parashikuar të furnizimit. Komisioni Parlamentar Përgjegjës për Shëndetësinë të monitorojë zbatimin e kësaj rezolute dhe, brenda 60 ditëve, të informojë Kuvendin për nivelin e zbatimit të saj”, tha ajo, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.

Megjithatë, rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit vendosi që seanca të shkojë në pauzë deri në orën 16:30.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.