Qeveria e re e Hungarisë ka ndërprerë financimin e programit të subvencioneve për blerjen e makinerive bujqësore, i cili ishte i dedikuar për fermerët në Republika Srpska dhe Distriktin e Brçkos në Bosnjë-Hercegovinë.
Programi BTP-26 ishte pjesë e një pakete mbështetëse prej 100 milionë eurosh, të paralajmëruar në vitin 2022 nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán dhe lideri politik i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.
Vendimi i qeverisë hungareze është bërë publik përmes një njoftimi të Fondacionit për Zhvillim të Qëndrueshëm “Progressus”, i cili administronte programin në Republika Srpska.
Sipas njoftimit, qeveria hungareze, me vendimin nr. 2088/2026, ka shfuqizuar vendimin paraprak nr. 2372/2025 për ndarjen e granteve për këtë program. Si rrjedhojë, fondacioni ka ndërprerë realizimin e thirrjes publike BTP-26.
Thirrja ishte hapur më 13 mars 2026, por ishte mbyllur vetëm pesë ditë më vonë, për shkak të interesimit të madh. Sipas të dhënave të fondacionit, ishin pranuar 1.025 aplikime nga fermerët në Republika Srpska dhe Distriktin e Brçkos.
Fermerët mund të përfitonin subvencione nga 2.500 deri në 25.000 euro për blerjen e makinerive, pajisjeve dhe mjeteve bujqësore të prodhuara në Hungari. Një kusht i programit ishte që përfituesit të mbulonin së paku 30 për qind të vlerës së investimit me mjetet e tyre.
Sipas Radio Evropa e Lirë, në dy ciklet paraprake të programit, gjatë viteve 2022 dhe 2023, nga buxheti hungarez ishin shpenzuar më shumë se 28 milionë euro. Fermerët kishin kontribuar me së paku 12.9 milionë euro të tjera nga mjetet e tyre.
Lidhja politike Orbán–Dodik
Programi ishte një nga format konkrete të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet qeverisë së atëhershme të Viktor Orbánit dhe udhëheqjes së Republika Srpska, të drejtuar politikisht nga Milorad Dodik.
Përmes kësaj skeme, fermerët në entitetin serb të Bosnjë-Hercegovinës mund të blinin makineri të prodhuara në Hungari, ndërsa financimi sigurohej nga buxheti hungarez dhe zbatohej përmes rrjetit zhvillimor CED me seli në Budapest.
Ndërprerja e programit vjen pas ndryshimit të qeverisë në Hungari, pas zgjedhjeve të 12 prillit 2026 dhe përfundimit të qeverisjes së gjatë të Viktor Orbánit.
Megjithatë, ende nuk është bërë publik arsyetimi i plotë i qeverisë së re për ndërprerjen e financimit.
Radio Evropa e Lirë raportoi se nuk kishte marrë përgjigje nga qeveria hungareze, CED dhe Fondacioni Progressus lidhur me arsyet e vendimit, mundësinë e vazhdimit të programit apo fatin e pjesës së mbetur të paketës prej 100 milionë eurosh.
Nuk ka konfirmim se e gjithë paketa financiare është anuluar. Vendimi i publikuar ka të bëjë me programin e subvencioneve bujqësore për vitin 2026.

