Erëra të fuqishme kanë goditur gjatë natës rajonin e Dukagjinit, duke shkaktuar dëme materiale në disa zona, transmeton IndeksOnline.
Peja, Deçani, Juniku dhe Istogu janë përballur me mot të lig, ndërsa në disa lokacione janë raportuar drunj të rrëzuar dhe shtylla elektrike të rrëzuara përtokë.
Lexues të shumtë të Indeksonline kanë dërguar pamje nga terreni, ku shihen pasojat e erërave të forta.
Pamjet dëshmojnë për dëme në infrastrukturë, ndërsa ende nuk ka informacione zyrtare për përmasat e dëmeve apo për persona të lënduar.
Qytetarëve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat ku ka drunj të rrëzuar dhe kabllo elektrike të dëmtuara./IndeksOnline/
Burimi: indeksonline.net ↗

