Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se me Frederiksen diskutoi për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, forcimin e bashkëpunimit në fushën e drejtësisë, si dhe atë ekonomik e tregtar.
“Folëm për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve tona dhe për forcimin e mëtejmë të tyre, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sikurse edhe për atë ekonomik e tregtar”, ka shkruar Kurti.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e avancimit të vendit në procesin e integrimeve euroatlantike. /IndeksOnline/

