Dr. Kushtrim Kryeziu, me prejardhje nga Kosova, do të nderohet më 13 nëntor 2026 me Çmimin e Dr. Ragnar Mørk për Kërkime të Shkëlqyera në Fushën e Kancerit.
Sipas njoftimit të publikuar nga Spitali Universitar i Oslos (Oslo University Hospital), çmimi i është ndarë Kryeziut për studimet e tij inovative mbi mënyrën se si qelizat e gjalla tumorale reagojnë ndaj barnave specifike, shkruan Telegrafi.
Kryeziu është pjesë e Departamentit të Onkologjisë Molekulare, në Institutin për Kërkime mbi Kancerin, pranë Spitalit Universitar të Oslos.
Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet të premten, më 13 nëntor, në Sallat e Seminareve 1 dhe 2 të Institutit për Kërkime mbi Kancerin.
Programi parasheh prezantimin e çmimit nga menaxheri i biznesit të trashëgimisë, Carl Rieber-Mohn, në orën 15:15, ndërsa në orën 15:25 kryetari i komitetit të çmimit, Harald Stenmark, do të bëjë prezantimin e fituesit.
Në orën 15:30, Kryeziu do të mbajë ligjëratën e tij si fitues i çmimit, ndërsa pas përfundimit të saj, në orën 16:00, për të pranishmit do të ketë kafe dhe ëmbëlsira.
Kërkimet në trajtimin e personalizuar të kancerit
Puna shkencore e Dr. Kushtrim Kryeziut lidhet me hulumtimin e metodave për trajtimin e personalizuar të kancerit.
Një prej drejtimeve të kërkimeve të tij është krijimi i mini-tumoreve në laborator, duke përdorur indet e marra nga vetë pacientët. Kjo qasje hulumtuese synon të ndihmojë në kuptimin e reagimit të tumoreve ndaj trajtimeve të ndryshme.
Ndarja e këtij çmimi përbën një vlerësim të punës së tij shkencore në fushën e kërkimeve për kancerin./Telegrafi/

