Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është përballur sot në Kuvendin e Kosovës me kritika të shumta lidhur me vonesat në furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma dhe pajisje të tjera të nevojshme për punën e zyrtarëve policorë.
Ky problem brenda policisë po raportohet tash e disa vite,e që përmirësime nuk pati. Madje përpos mungesave në uniformim e pajisje, Policia e Kosovës u përballën edhe me mospagesa.
Madje shumë prej tyre nuk u paguan për disa muaj për orët shtesë, e shumë prej tyre nuk morën as pagat e 13-ta që u takonin me Ligj.
Mbi këtë çështje shumë prej tyre iu drejtuan edhe gjykatave dhe arritën t’i fitonin këto raste e më pas nga buxheti i Shtetit, Qeveria detyrohet t’ua paguajë këto paga përnjëherë përmes vendimeve gjyqësore.
Por sot, derisa, Sveçla ka arsyetuar vonesat me procedurat e prokurimit, anulimet e tenderëve dhe ankesat e operatorëve ekonomikë, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e ka akuzuar atë për keqmenaxhim të buxhetit dhe dështim në sigurimin e uniformave për policët, raporton lajmi.net.
Përtej përplasjes politike në Kuvend, lajmi.net ka kërkuar sqarime nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me gjendjen e furnizimit të zyrtarëve policorë me uniforma dhe pajisje mbrojtëse.
Inspektorati Policor i Kosovës, në një përgjigje për lajmi.net, ka bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit ka ngritur vazhdimisht shqetësime për mungesën e uniformave, jelekëve antiplumb dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse, duke kërkuar masa konkrete për përmirësimin e gjendjes.
Në përgjigjen e dhënë për redaksinë tonë, IPK ka konfirmuar se gjatë pesë viteve të fundit ka trajtuar vazhdimisht këto probleme përmes inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme.
Sipas këtij institucioni, në gjithsej 10 inspektime janë identifikuar shqetësime dhe janë dhënë rekomandime për përmirësimin e furnizimit me uniforma, jelekë antiplumb dhe helmeta.
“IPK në kuadër të autorizimeve ligjore, në vazhdimësi përmes inspektimeve të rregullta dhe të jashtëzakonshme gjatë pesë (5) viteve të fundit ka trajtuar sfidat lidhur me furnzimin me uniform zyrtare dhe pajisijeve tjera për nevoja operative policore përfshirë jelekë mbrojtës (antiplumb), helmeta, etj. Sipas të dhënave zyrtare të IPK-së në 14 inspektime të realizuara janë ngritur shqetësime dhe janë rekomanduar ndërmarrje e veprimeve në përmirësimin e gjendjes me artikujt e përmendur.
Më saktësisht sipas IPK-së në së pak 10 inspektime u ngrit shqetësim për nevojën e furnizimit me këta artikuj. Po ashtu u tha se në 14 inspektime të realizuara në 5 vite u kërkua nga drejtuesit dhe autoritetet përkatëse brenda Policisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime.
Sipas raporteve të inspektimit:
lidhur me veshmbathjen, në së paku dhjetë (10) inspektime është ngritur shqetësim për nevojën e furnizimit të rregullt me këta artikuj;
lidhur me jelekët mbrojtës, në së paku dhjetë (10) inspektime është ngritur shqetësim për furnizimin, skadimin e afateve të përdorimit dhe nevojën e zëvendësimit të tyre;
lidhur me helmetat mbrojtëse, në së paku një (1) inspektim është ngritur shqetësimi për nevojën e furnizimit me këtë artikull.
Në 14 inspektime të realizuara në këto pesë (5) vite, së paku në 14 rekomandime është kërkuar nga drejtuesit dhe autoritetet përkatëse brenda Policisë së Kosovës që të ndërmarrin veprime për përmirësimin e gjendjes ekzistuese sa i përket këtyre artikujve me rëndësi për punën policore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për lajmi.net
Paralajmërimet e IPK-së ndër vite dhe furnizimi që vazhdon të jetë problem
Të dhënat e siguruara nga lajmi.net tregojnë se problemet me furnizimin e Policisë së Kosovës nuk janë gjetur vetëm së fundmi.
Nga dhjetë inspektime, IPK ka ngritur shqetësime për furnizimin e rregullt me uniforma. Gjithashtu në dhjetë inspektime janë gjetur probleme me jelekët mbrojtës, përfshirë skadimin e afateve të përdorimit dhe nevojën për zëvendësimin e tyre.
Ndërkaq, gjatë një inspektim është ngritur edhe çështja e furnizimit me helmeta mbrojtëse.
IPK ka bërë të ditur se në këto pesë vite janë dhënë së paku 14 rekomandime për drejtuesit dhe autoritetet përkatëse të Policisë së Kosovës, me qëllim përmirësimin e gjendjes.
“Tenderët u anuluan dhe u zvarritën nga ankesat”
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ministri Xhelal Sveçla ka deklaruar se procedurat për furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma janë iniciuar katër herë, por janë përcjellë me anulime dhe ankesa.
Ai ka treguar se në vitin 2021 ishte hapur një procedurë prokurimi në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, e cila ishte anuluar nga Policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk kishin përmbushur kriteret administrative.
“Në vitin 2021 një procedurë e hapur në vlerë 11.3 milionë euro, kjo procedurë është anuluar nga vetë Policia e Kosovës, pasi ofertat e pranuara nuk i kanë përmbushur kriteret administrative”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, një procedurë tjetër ishte iniciuar në vitin 2023, po ashtu në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, por procesi kishte zgjatur rreth tre vjet deri në nënshkrimin e kontratës, si pasojë e ankesave të shumta dhe vendimeve të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Sveçla ka insistuar se mbështetja financiare për këtë furnizim nuk ka munguar, ndërsa ka kërkuar ndryshime në Ligjin e Prokurimit për të shmangur zvarritjet e proceseve tenderuese.
“Për çështjet e prokurimit duhet ndryshuar Ligji i Prokurimit, për shkak se për një proces tenderues të kemi gjashtë ankesa apo procese edhe te OSHP-ja, e këto pastaj të gjitha të përfundojnë në gjykatë”, ka thënë ministri.
Mashtrim prej A-së deri në Zh
Pas deklarimeve të ministrit, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka reaguar ashpër, duke e akuzuar për keqmenaxhim të buxhetit dhe mosrealizim të furnizimit të policëve me uniforma.
Ajo i është referuar raportit të Auditorit, duke pretenduar se 15 milionë euro të destinuara për paga ishin regjistruar si investime kapitale.
“Ju e shpenzoni buxhetin qysh keni dëshirë, sepse në raportin e Auditorit 15 milionë për paga i ke shkru për investime kapitale. Kontratat një me një ju e keni shprehi, e keni kry, keni mujt veç me furnizu Policinë me uniforma, ajo është krenaria e Kosovës. Këtë keni mujt me bë, nuk e keni bë”, ka deklaruar Haxhiu.
Deputetja ka vazhduar kritikat, duke pretenduar se pasaktësitë në raportimin e shpenzimeve nuk kanë qenë të rastësishme.
“Keqqeverisja jote ka treguar edhe njëherë në këtë raport. 15 milionë të pagave i ke shkru investime kapitale. Nuk janë bërë krejt rastësisht. Mashtrim prej A-së deri në Zh”, ka përfunduar Haxhiu./Lajmi.net/


