Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Ai ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë, duke vlerësuar se kjo do t’i mundësonte Kosovës pjesëmarrjen në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Sipas Kurtit, anëtarësimi do t’u mundësonte gjithashtu qytetarëve të Kosovës qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Postimi i plotë:
Në takimin që patëm sot në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, vazhduam bisedën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë.
Është e tejet e rëndësishme që, nëpërmjet pranimit në Këshill, Kosovës t’i mundësohet pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

