Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, në kuadër të pjesëmarrjes në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), që po mbahet në Dublin.
Në deklarimin e tij për media, Kurti ka falënderuar kryeministrin irlandez për ftesën dhe mikpritjen, duke theksuar se është i lumtur që po kthehet në Dublin pas tre vjetësh e gjysmë.
Ai ka vlerësuar Irlandën si histori suksesi të integrimit evropian dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa ka thënë se edhe Kosova synon anëtarësimin në BE dhe NATO.
Kurti ka theksuar se për të arritur këto synime, Kosova fillimisht duhet të marrë statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim.
“Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka shprehur mirënjohje edhe për popullin irlandez, për strehimin e më shumë se një mijë refugjatëve shqiptarë të Kosovës në vitin 1999, të cilët ishin dëbuar nga vendi gjatë luftës.
Ai ka falënderuar gjithashtu ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke kontribuar në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës.
Kurti ka vlerësuar se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë organizata të domosdoshme për demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë e përgjithshme.
Duke folur për rëndësinë e Komunitetit Politik Evropian, ai ka thënë se takimet e liderëve janë veçanërisht të rëndësishme në kohën kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon dhe kërcënimet e sigurisë po shtrihen përtej fushëbetejës.
Sipas Kurtit, sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe lufta hibride janë pjesë e këtyre kërcënimeve, ndërsa EPC-ja ndihmon në bashkimin e liderëve, diskutimin dhe harmonizimin e qëndrimeve të tyre përballë sfidave të përbashkëta. /Lajmi.net/

