Deputeti i Vetëvendosjes, Vigan Qorolli, tha se përsëritja e votimit të Ligjit për Specialen pa “reflektim mbi përmbajtjen” nuk përbën përmirësim të Ligjit.
Këtë deklaratë ai e bëri në Komisionin për Legjislacion, i cili u mblodh për të shqyrtuar futjen në “procedurën e përshtatshme” për miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë.
“Kjo iniciativë ka qenë e ngutshme, juridikisht e pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë. Sot po diskutojmë pak a shumë për gjërat e njëjta si të 6 tetorit. Prandaj, ju mund të kërkoni votimin e tij të sërishëm, është e drejtë edhe politike edhe parlamentare, por nuk mund të pretendoni që përsëritja e votimit pa reflektim mbi përmbajtjen përbën në vetvete përmirësim të ligjit”, tha Qorolli.
Ndërkohë, deputetja e PDK’së, Blerta Deliu, anëtare e këtij Komisioni, tha se kanë pasur negociata me Lëvizjen Vetëvendosje “për mënyrën se si do ta trajtojmë ligjin në fjalë”.
“Ne jemi dakorduar që ta kalojmë ligjin. Megjithatë, unë dua ta bëj të qartë që nuk kemi arritur dakordësi që të bëhen ndryshime në ligjin”, tha ajo.

