Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli u dekluara mbrëmë shkurtimisht mbi krizën energjetike në vend.
Ajo më tepër si parashikuese e motit, tha se Kosovën e pret një dimër i vështirë teksa refuzonte të përgjigjej në shumë prej çështjeve me interes të qytetarëve.
Rizvanolli, ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me një sezon të vështirë dimëror sa i përket furnizimit me energji elektrike, në një kohë kur çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rritje të madhe.
Në një intervistë në emisionin “Politiko”, ajo ka bërë të ditur se çmimi i energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka arritur deri në 500 euro për megavat-orë që në fillim të nëntorit, transmeton lajmi.net.
Sipas ministres, zhvillimet ndërkombëtare, veçanërisht konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, kanë ndikuar në tregjet energjetike dhe në furnizimin me naftë e gaz natyror të lëngëzuar.
Krahas sfidave në tregjet ndërkombëtare, Rizvanolli ka përmendur edhe vështirësitë me të cilat po përballet prodhimi vendor i energjisë elektrike.
Ajo ka veçuar bllokun B1 të Termocentralit Kosova B, i cili nuk është në funksion që nga 6 prilli, për shkak të punimeve për investime në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.
Por një deklaratë të tillë Rizvanolli e kishte bërë edhe në vitin 2022.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli pati kërkuar që masat emergjente në furnizimin e energjisë të vazhdojnë edhe për 30 ditë.
Kjo pasi sipas saj, Kosovën e pret një dimër i vështirë për shkak të krizës energjetike.
Pas shqyrtimit dhe votimit të këtij vendimi në Komisionin për Ekonomi, kjo kërkesë qeveritare është duke u shqyrtuar edhe në seancën e Kuvendit të Kosovës.
“Duhet të jemi të sinqertë të gjithë, na pret një dimër i vështirë neve dhe tërë Evropën. Po pritet të përballemi me krizë të rëndë deri në reduktime vetëm se kanë filluar në disa shtete të ndalojnë ngrohjen për mbi 19 gradë celsius. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për situatën që e kemi ani se nuk është koha për të fajësuar njëri tjetrin për situatën në të cilën gjendemi. Nuk i shërben askujt nëse tallemi me masat e kursimit që promovohen”, pati thënë Rizvanolli më 2022./Lajmi.net/
Ministrja Rizvanolli i paralajmëron qytetarët për çmimet e rrymës: Dimër i vështirë për Kosovën!

