Festina Kurteshi nga Gjilani ka qenë e ftuar në kryeqytetin gjerman, Berlin, në kuadër të Berlin Global Forum 2026, ku ka mbajtur një ligjëratë para rreth 100 pjesëmarrësve nga vende të ndryshme të botës.
Forumi, i organizuar nga Organization for Global Peace and Sustainability, ka mbledhur studentë, profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe diskutimin e çështjeve që lidhen me politikën dhe lidershipin.
Kurteshi ka ligjëruar me temën “Beyond Power: The Philosophy of Good Politics” (Përtej pushtetit: Filozofia e politikës së mirë), duke trajtuar politikën përtej interesave të pushtetit dhe duke vënë në fokus etikën, integritetin, përgjegjësinë dhe të mirën e përbashkët.
Gjatë qëndrimit në Berlin, ajo ka pasur mundësinë të bashkëbisedojë dhe të ndajë përvoja e perspektiva me pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
Përmes një postimi, Kurteshi e ka cilësuar këtë pjesëmarrje si një përvojë të vlefshme dhe një mundësi për të kontribuar në dialogun ndërkombëtar mbi të ardhmen e politikës dhe lidershipit.
Pjesëmarrja e saj në këtë forum ndërkombëtar ka vënë në pah rëndësinë e përfaqësimit dhe angazhimit në diskutimet globale mbi politikën, vlerat etike dhe lidershipin bashkëkohor./Telegrafi/

