Është mbajtur në Beograd ceremonia mortore për Xhevat Prekazin, ish-futbollistin legjendar të Galatasarayt, i cili ndërroi jetë në moshën 69-vjeçare.
Ceremonia u zhvillua në stadiumin e Partizanit, në kryeqytetin serb, ku të pranishëm ishin familjarë, miq, ish-bashkëlojtarë dhe përfaqësues të klubeve me të cilat Prekazi kishte lënë gjurmë gjatë karrierës së tij, shkruan Indeksonline
Galatasaray u përfaqësua nga nënkryetari Sedat Artukoglu, sekretari i përgjithshëm i bordit drejtues Can Natan dhe anëtari i bordit Ozan Bingol Yurtsever.
Gjatë ceremonisë, Artukoglu mbajti një fjalim prekës, duke kujtuar kontributin e Prekazit në historinë e klubit turk. Ai theksoi se ish-futbollisti ishte një nga figurat më të rëndësishme të Galatasarayt, duke përmendur veçanërisht golin e famshëm të shënuar ndaj Monacos në vitin 1989, që mbetet ende në kujtesën e tifozëve.
Një nga momentet më emocionuese ishte vendosja e fanellës së Galatasarayt pranë Prekazit, në përputhje me dëshirën e tij. Sipas përfaqësuesve të klubit, ai kishte kërkuar që në ceremoninë e lamtumirës të ishte i pranishëm me fanellat e dy skuadrave të rëndësishme për të, Galatasarayt dhe Partizanit.
Sekretari i përgjithshëm Can Natan e cilësoi Prekazin si një hero të fëmijërisë për gjeneratën e tij, duke shprehur dhimbjen e madhe për ndarjen e tij nga jeta. Ai falënderoi gjithashtu Partizanin për organizimin e ceremonisë dhe shprehu ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e ish-futbollistit.
Prekazi e kishte veshur fanellën e Galatasarayt nga viti 1985 deri më 1991, duke luajtur një rol të rëndësishëm në dy titujt e kampionit të fituar nga klubi turk. Ai do të kujtohet për talentin, karakterin dhe golat e tij të paharrueshëm, por mbi të gjitha për gjurmën e veçantë që la në historinë e futbollit./Indeksonline/

