KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Kulture

Vdes në moshën 85-vjeçare aktori amerikan Stacy Keach

Vdes në moshën 85-vjeçare aktori amerikan Stacy Keach

Aktori amerikan Stacy Keach, i njohur për rolin e detektivit privat Mike Hammer në serialet televizive, ka vdekur në moshën 85-vjeçare.

Keach vdiq të martën në shtëpinë e tij në Magdalenka të Polonisë, pas një beteje të gjatë me probleme serioze të zemrës dhe pamjaftueshmëri kardiake. Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e tij, Malgosia Tomassi Keach, përmes një deklarate.

Aktori kishte pësuar edhe një sulm në zemër në vitin 2017, teksa ishte në skenë në Çikago.

Edhe pse konsiderohej një nga interpretuesit më të shquar të veprave të William Shakespeare dhe kishte punuar me regjisorë të njohur si John Huston, Keach u bë veçanërisht i famshëm për portretizimin e Mike Hammerit, detektivit privat të krijuar nga shkrimtari i romaneve kriminalistike Mickey Spillane.

Gjatë karrierës së tij, ai interpretoi në një gamë të gjerë rolesh, duke refuzuar të kufizohej vetëm në një lloj personazhi. Ai luajti në filmat Cheech and Chong, interpretoi personazhin e mbretit Lear në teatër dhe ishte narrator i emisionit televiziv World’s Most Amazing Videos.

Ndër rolet e tij të njohura ishte edhe ai në filmin The Ninth Configuration, ndërsa pati paraqitje në produksione të tjera si Nebraska, American History X dhe The Bourne Legacy. Ai interpretoi gjithashtu shkrimtarin Ernest Hemingway në një miniserial televiziv gjashtëorësh, rol për të cilin kishte shtuar rreth 16 kilogramë në peshë. Për këtë interpretim fitoi çmimin Golden Globe.

Karriera e Keach u përball edhe me një periudhë të vështirë në vitin 1984, kur ai u burgos pasi u përpoq të fuste kontrabandë kokainë në Britani të Madhe. Ngjarja rrezikoi seriozisht vazhdimin e karrierës së tij artistike.

Megjithatë, aktori vazhdoi të punonte në teatër, film dhe televizion për dekada. Roli i tij i fundit ishte ai i babait të hidhëruar të personazhit të George Clooney në filmin Jay Kelly.

Në një intervistë për revistën New York në vitin 2012, Keach kishte thënë se synimi i tij ishte të interpretonte sa më shumë personazhe të ndryshme, edhe pse kjo kishte ndikuar ndonjëherë negativisht në karrierën e tij.

“Zgjedhjet e mia kanë pasur një kosto, por kam pasur mundësinë të interpretoj Hamletin, Richard III dhe mbretin Lear. Nuk do të hiqja dorë nga kjo për asgjë”, kishte deklaruar ai.

Stacy Keach lindi në Savannah të Xhorxhias, në një familje artistësh. Ai studioi në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, ku mori diploma në letërsi angleze dhe art dramatik. Më pas vazhdoi studimet në Shkollën e Dramës në Yale dhe në Akademinë e Muzikës dhe Artit Dramatik në Londër, si bursist i programit Fulbright.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.