Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur, pas operacionit të Policisë së Kosovës që rezultoi me arrestimin e një shtetasi gjerman dhe sekuestrimin e 43 armëve të gjata automatike.
Përmes një postimi, Sveçla ka vlerësuar punën e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, i cili në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale realizoi operacionin.
“Lufta jonë kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të armëve mbetet e palëkundur.
Një operacion i suksesshëm Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, ka rezultuar me arrestimin e një shtetasi gjerman dhe sekuestrimin e 43 armëve të gjata automatike.
Institucionet tona po dëshmojnë përkushtim dhe profesionalizëm në parandalimin dhe luftimin e çdo veprimtarie kriminale, përfshirë rrjetet e trafikimit ndërkombëtar, që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë, të vendit tonë dhe më gjerë. Sundimi i ligjit nuk ka kompromis.
Do të vazhdojmë me vendosmëri në luftimin e krimit të organizuar dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Sveçla.

