Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur për të diskutuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2026, ka kritikuar ashpër Qeverinë për mungesën e reformave dhe ngecjen në procesin e integrimit evropian.
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së dhe me përkrahjen e deputetëve të PDK-së dhe AAK-së, Lushaku-Sadriu tha se gjetjet e raportit kërkojnë përgjigje publike dhe përgjegjësi politike e institucionale, pasi prekin drejtpërdrejt funksionimin e shtetit, cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ajo theksoi se kjo seancë është thirrur për të kërkuar llogari nga Qeveria për detyrimet e papërmbushura që lidhen me të ardhmen evropiane të Kosovës.
“E kemi ftuar këtë debat që Qeveria të na tregojë pse nuk janë përmbushur shumë nga detyrimet që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen evropiane të vendit tonë. Gjetjet e tij prekin funksionimin e thelbit të shtetit tonë, cilësinë e demokracisë, zhvillimin ekonomik dhe jetën e përditshme të qytetarëve tanë”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu tha se Raporti i Progresit nuk duhet të trajtohet si një lajm i përditshëm që komentohet për një ditë dhe më pas harrohet, por si një dokument që kërkon përgjegjësi dhe veprime konkrete nga institucionet.
“Nuk mund të lejojmë që ky raport të trajtohet si një lajm ditor që komentohet një ditë dhe harrohet nesër. Secila mangësi që përsëritet vit pas viti është një reformë e vonuar, e dështuar dhe me përgjegjësi të qartë. Integrimi evropian nuk ecën përpara duke u përshëndetur vetëm raporti dhe gjetjet e tij, ecën duke i zbatuar ato me afate kohore”, u shpreh shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së.
Ajo tha se raporti duhet të shërbejë si udhërrëfyes për institucionet, me detyra të përcaktuara, afate konkrete dhe rezultate të matshme.
“Ky raport është i rëndësishëm për vendin tonë, sepse na tregon një pasqyrë reale se sa institucionet tona janë të përkushtuara të përmbushin kushtet dhe të avancojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai duhet të jetë një udhërrëfyes me detyra të qarta për institucionet përgjegjëse, me afate dhe rezultate të matshme”, tha Lushaku-Sadriu.
Sipas saj, integrimi evropian prej vitesh ka pushuar së qeni prioritet i Qeverisë, duke mbetur kryesisht në nivel deklaratash, pa u reflektuar në vendimmarrje, bashkëpunim institucional dhe zbatim të reformave.
“Prej vitesh integrimi evropian ka pushuar së qenuri prioritet i kësaj Qeverie. Ka mbetur në deklarata, ndërsa është zbehur në vendimmarrje, bashkëpunim institucional dhe zbatimin e reformave”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar vlerësimeve të raportit, Lushaku-Sadriu theksoi se në dhjetë kapituj të rëndësishëm të zhvillimit të shtetit Kosova nuk ka shënuar progres.
“Në dhjetë kapituj, vlerësimi i këtij raporti është pa progres. Në dhjetë kapituj zhvillimorë të shtetit ne kemi arritur zero progres, nuk kemi marrë notën kaluese”, tha ajo.
Ajo përmendi mungesën e progresit në funksionimin demokratik dhe institucional, kontrollin financiar të financave publike, konkurrencën e biznesit, lëvizjen e lirë të mallrave dhe punëtorëve, transformimin digjital dhe medial, bujqësinë, sigurinë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin e shkencës.
Shqetësim të veçantë, sipas saj, paraqet edhe fusha e drejtësisë, ku tha se për herë të parë evidentohen vlerësime pa progres, ndërsa paketa legjislative për reformën gjyqësore nuk është kompletuar dhe ka regres në zbatimin e ligjshmërisë.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit ia kushtoi luftës kundër korrupsionit, duke kritikuar mungesën e rezultateve dhe përkushtimit institucional për zbatimin e reformave dhe strategjive përkatëse.
“Një qeveri nuk duhet të mjaftohet me deklarata dhe nuk duhet të mos e përmbushë angazhimin dhe premtimin e qytetarëve për luftën ndaj korrupsionit. Ky raport ia jep notën zero”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Ajo ngriti edhe çështjen e mungesës së Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit, për të cilën tha se Zyra e Kryeministrit nuk ka arritur ta prodhojë për vite me radhë, ndonëse kjo do të duhej të ishte një prej angazhimeve kryesore të Qeverisë.
“Vetë Zyra e Kryeministrit nuk ka prodhuar strategjinë kombëtare të korrupsionit tash e sa vite, që duhej të ishte përkushtimi i kësaj Qeverie ndaj planifikimit tonë strategjik për ta luftuar korrupsionin në vendin tonë”, u shpreh ajo.
Lushaku-Sadriu kritikoi edhe mënyrën se si po trajtohet pavarësia e institucioneve të pavarura, duke thënë se pavarësia e garantuar me ligj duhet të respektohet edhe në praktikë.
Sipas saj, emërimet e vonuara, procedurat jo transparente, financimi i paqëndrueshëm dhe mosrespektimi i mandateve po e dëmtojnë funksionimin e këtyre institucioneve. Ajo theksoi se raporti kërkon edhe përshpejtimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, obligim që institucionet duhet ta përmbushin.
Një tjetër çështje e ngritur ishte liria e medias dhe siguria e gazetarëve. Lushaku-Sadriu tha se pushteti ka përgjegjësi të veçantë për gjuhën që përdor ndaj mediave dhe për krijimin e një ambienti ku garantohet liria e shprehjes.
“Gjatë periudhës raportuese janë shënuar 35 sulme dhe kërcënime fizike e verbale ndaj gazetarëve, për çka obligohemi të reagojmë dhe ambienti ynë të garantojë lirinë e fjalës dhe lirinë mediale”, deklaroi ajo.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për gjendjen në Radiotelevizionin e Kosovës, duke iu referuar krizës së thellë financiare, vendeve vakante dhe mospërmbushjes së kritereve institucionale.
“Një qeverisje që ka ndërtuar identitetin e vet mbi premtimet kundër korrupsionit duhet të përgjigjet edhe për këtë hendek mes premtimit dhe rezultatit”, tha ajo, duke kërkuar që vëmendje e veçantë t’u kushtohet edhe politikave për uljen e dhunës dhe rritjen e sigurisë në vend.
Duke u ndalur te mbrojtja sociale, Lushaku-Sadriu tha se raporti evidenton rritje të dhunës në familje dhe ndaj fëmijëve, si dhe mungesë të mbrojtjes së mjaftueshme për gratë.
Ajo theksoi se institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e fëmijëve, përfshirë Qendrat për Punë Sociale, po përballen me mungesë financiare.
“Institucionet që janë të autorizuara ta kenë këtë mbikëqyrje për fëmijët dhe QPS-të ballafaqohen me mungesë financiare. Prandaj, Qeveria duhet të shikojë se si mund të mbrohen këto institucione dhe si të sigurohet mbrojtja e fëmijëve dhe grave në vendin tonë”, u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, ajo përmendi edhe problemet në reformën e administratës publike, kontrollin financiar dhe prokurimin publik. Sipas saj, raporti evidenton mosrespektim të rekomandimeve të auditorit, ulje të zbatimit të tyre dhe raste problematike në realizimin e tenderëve, përfshirë dyshimet për ndikime politike në proceset e prokurimit.
Në aspektin ekonomik, Lushaku-Sadriu iu referua inflacionit prej 7.3 për qind në gusht të vitit 2026, duke theksuar se gjendja ekonomike dhe mungesa e investimeve po rëndojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve.
Ajo kritikoi edhe sistemin arsimor, për të cilin tha se nuk është në harmoni me kërkesat e tregut të punës. Duke iu referuar të dhënave të përmendura në raport, ajo tha se vetëm 15 për qind e nxënësve kanë kaluar testet në matematikë dhe gjuhë.
“Është fatale që ky raport e vërteton edhe një herë gjendjen alarmante në energji, mungesën e investimeve në transport dhe faktin se të gjitha këto u kushtojnë qytetarëve tanë në koston e jetesës dhe e rrisin atë për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie”, deklaroi ajo.
Sipas Lushaku-Sadriut, këto probleme nuk janë vetëm çështje të statistikave apo vlerësimeve ndërkombëtare, por ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin, mirëqenien dhe jetën e përditshme të familjeve në Kosovë.
Në përfundim të fjalimit, shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së kërkoi që debati parlamentar të përmbyllet me kërkesa konkrete dhe obligime të qarta për Qeverinë.
Ajo kërkoi që Qeveria të raportojë rregullisht çdo tre muaj para Kuvendit të Kosovës për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Progresit, ndërsa brenda 30 ditësh të paraqesë një plan veprimi për përmbushjen e kritereve dhe reformave të kërkuara nga Komisioni Evropian.
Po ashtu, ajo u bëri thirrje komisioneve parlamentare që të ushtrojnë mbikëqyrje për secilën fushë dhe kriter të evidentuar në raport, në mënyrë që rekomandimet të mos mbeten vetëm në letër.
“Ky raport është përgjithësisht me notë jokaluese dhe në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së kërkoj që këtu të dalim me kërkesa për Qeverinë: të raportojë Kuvendit të Kosovës rregullisht çdo tre muaj për realizimin e Raportit të Progresit dhe kërkesave të tij, ndërsa brenda 30 ditësh të na paraqesë një plan veprimi se si duhet të përmbushen këto kritere”, përfundoi Lushaku-Sadriu. /Lajmi.net/

