Të paktën 300 shkolla u evakuuan të mërkurën në mbarë Italinë, pasi morën kërcënime për vendosje bombash përmes postës elektronike.
Mesazhi përmbante gjithashtu një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj kryeministres italiane, Giorgia Meloni, bëri të ditur ministri i Arsimit i vendit.
Mesazhi fillonte me fjalët: "Kemi ardhur për t'ju asgjësuar. Do të kryejmë një gjenocid kundër italianëve."
Aty përmendej vendosja e një "mjeti të fuqishëm shpërthyes" në ndërtesë, i pajisur me një "mekanizëm shpërthimi në distancë".
"Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministres suaj," vazhdonte mesazhi, i cili ishte nënshkruar me emrin "Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilajetit të Mizogjinistanit".
Kërcënime të ngjashme për bomba, të marra nga media në Irlandë dhe Bullgari gjatë javës së kaluar, ishin dërguar gjithashtu nga i njëjti autor i pretenduar, "Mikhail Andropov".
Ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, deklaroi se janë regjistruar rreth 300 alarme në të gjithë Italinë, duke shtuar se "është e qartë se bëhet fjalë për një strategji".
Përmbajtja e këtyre mesazheve është ende duke u verifikuar, ndërsa autoritetet po kryejnë kontrolle sigurie për të garantuar mbrojtjen e nxënësve, mësuesve dhe personelit shkollor.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, komentoi mbi ngjarjen, duke njoftuar se do të raportojë në Parlament lidhur me situatën dhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e përgjithshme, shkruan Euronews.com, transmeton Klankosova.tv.
Ai theksoi gjithashtu se këto alarme për bomba janë pjesë e një strategjie për destabilizim.
"Kjo është pjesë e një strategjie tashmë të qartë, e cila synon të mbjellë terror ose të krijojë shqetësim. Secili prej nesh, duke përdorur mjetet që ekzistojnë sot, mund të dërgojë një e-mail në një shkollë, kopsht fëmijësh apo kompani ajrore, duke pretenduar se aty ka një bombë."

