Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka prezantuar të mërkurën tre futbollistët e rinj që i janë bashkuar për herë të parë Kombëtares së Kosovës.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Lindrit Kamberi, Bleon Kurtulush dhe Enis Rexhepi kanë shprehur emocionet dhe krenarinë për mundësinë që ta përfaqësojnë Kosovën.
“Jam shumë krenar dhe mezi pres ta vesh fanellën e Kosovës”, ka deklaruar Kamberi, kapiteni i Zurichut.
Entuziazmin nuk e ka fshehur as sulmuesi Enis Rexhepi, i cili zhvillohet te Stuttgarti dhe më parë ka përfaqësuar grupmoshat e Shqipërisë.
“Jam shumë krenar ta vesh fanellën e Dardanëve”, është shprehur ai.
Ndërkohë, mbrojtësi i Malmos, Bleon Kurtulush, i cili më parë ka luajtur për grupmoshat e Suedisë, ka dhënë një mesazh të veçantë.
“Zemra ime ka rrahur gjithmonë për Kosovën”, ka thënë Kurtulush.
Të tre futbollistët e kanë përmbyllur prezantimin me thirrjen e përbashkët: “Forca Kosova!”

