Portieri gjerman, Marc-Andre ter Stegen, ka folur për të ardhmen e tij pas huazimit te Ajaxi, duke lënë të hapur mundësinë e largimit përfundimtar nga Barcelona.
Gardiani 34-vjeçar, i cili kaloi 12 vite në klubin katalanas, ka theksuar se vazhdon të ketë një lidhje të veçantë me Barcelonën, por aktualisht nuk mund të japë një përgjigje të qartë për atë që do të ndodhë pas përfundimit të sezonit.
“Kam kaluar 12 vite te Barcelona, prandaj kam një lidhje të veçantë me klubin. Për momentin jemi vetëm në nëntor dhe sinqerisht nuk mund të them se çfarë do të ndodhë në verë”, deklaroi Ter Stegen.
Ai u shpreh gjithashtu i kënaqur me besimin që po merr te Ajaxi, duke theksuar se kjo përvojë i ka rikthyer bindjen për aftësitë e tij.
“Është një ndjenjë e jashtëzakonshme të përjetosh një nivel të tillë besimi. Kjo dëshmon se kur jam në formën time më të mirë, mund t’i jap shumë ekipit”, shtoi portieri gjerman.
Ter Stegen foli edhe për situatën e fundit në Kombëtaren e Gjermanisë, duke komentuar kërkesat për ndryshime në përbërjen e skuadrës dhe aktivizimin e futbollistëve të rinj.
Sipas tij, kërkesa për t’u dhënë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj është e drejtë, por përvoja do të ketë rëndësi të madhe në momentet e vështira.
“Kohët e fundit, Kombëtarja e Gjermanisë nuk ka kaluar periudhën më të mirë. Shumë njerëz menjëherë kërkojnë lojtarë të rinj dhe insistojnë që të aktivizohen të gjithë talentet e rinj. Në përgjithësi, mendoj se kjo është e drejtë, por do të ketë edhe momente të vështira në të ardhmen, kur përvoja do të jetë shumë e rëndësishme”, përfundoi Ter Stegen. /Telegrafi/

