KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Teknologji

Nga Google dhe Apple në Prishtinë: GrowthTank sjell mbi 15 folës botërorë të AI

Nga Google dhe Apple në Prishtinë: GrowthTank sjell mbi 15 folës botërorë të AI

Një ish-drejtues i Google, një krijues përmbajtjesh me mbi dy milionë ndjekës dhe një kapiten që ka udhëhequr 23 ekspedita në Arktik do të jenë në të njëjtën skenë në Prishtinë më 20 dhe 21 nëntor.

Ata janë pjesë e GrowthTank 2026, konferencës për inteligjencën artificiale, marketingun dhe kreativitetin, e cila këtë vit mbahet në AMC Hall me temën “Lost in Tokens” dhe nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Organizatorët kanë njoftuar se në skenë do të ngjiten mbi 15 folës, nëntë prej të cilëve tashmë janë bërë publikë.

Sipas tyre, edicioni i sivjetmë është tërësisht praktik: folësit do t’i hapin laptopët dhe do të punojnë drejtpërdrejt para publikut, pa prezantime teorike. Motoja e konferencës është “No boring talks. AI in action”.

“Mjetet e reja të AI-së po dalin më shpejt sesa mund t’i mësojë kushdo”, thuhet në faqen e konferencës, ku premtohen punëtori, demonstrime të drejtpërdrejta dhe mënyra pune që pjesëmarrësit mund t’i zbatojnë që të hënën pasuese në punën e tyre.

Ndër emrat kryesorë është Chris Heemskerk, i cili ka punuar më shumë se një dekadë në Google dhe Apple, ku ndër të tjera ka udhëhequr sektorin “Scaled Acquisitions” të Google për Amerikën Veriore.

Ai paraqitet në dy raste studimore të Harvard Business School dhe ka folur para më shumë se 50 mijë njerëzve në mbi 17 shtete, përfshirë Kombet e Bashkuara, Amazon dhe Coca-Cola.

Në Prishtinë vjen edhe Sebastien Jefferies, sipërmarrës dhe krijues përmbajtjesh për AI me mbi dy milionë ndjekës, bashkëthemelues i platformës VOSU dhe themelues i AI Creator Lab, i cili ka bashkëpunuar me Google, Adobe dhe Meta.

Charlie Hills, themelues i buletinit MarTech AI që lexohet nga më shumë se 50 mijë njerëz të marketingut, nisi të postonte për AI-në në LinkedIn në fund të vitit 2023 pa asnjë ndjekës. Brenda dy vjetësh i kaloi 200 mijë.

Joel Marlinarson, i njohur si “meteorologu i marketingut”, e pati klient të parë emisionin “Chicken Shop Date” kur ishte 18 vjeç. The Guardian e ka quajtur “guru të marketingut”, ndërsa këtë vit ishte njëri nga tre ambasadorët zyrtarë britanikë në Cannes Lions.

Charlotte Stavrou, themeluese e agjencisë SevenSix, është autore e raportit të çmimeve të influencerëve (Influencer Pricing Report), për të cilin kanë shkruar The Guardian, Forbes dhe Business Insider. Në Prishtinë ajo do të mbajë një punëtori.

Nga bota e kreativitetit rikthehet në GrowthTank DAvide Colla, themelues i agjencisë nga Milani i Italisë, 150UP, që ka udhëhequr projekte për Ferrari, Armani dhe Prada.

Me të do të jetë edhe fotografja dhe drejtoresha kreative Sevda Albers, e cila ka gati 30 vjet në industri, ka punuar me brende si H&M, Zalando dhe ASOS dhe sot merret me krijimin e imazheve dhe videove me AI.

Për mënyrën se si bordet dhe drejtuesit e kompanive duhet të vendosin për AI-në do të flasin bashkëthemeluesit e platformës zvicerane SwissCognitive, Dalith Steiger-Gablinger dhe Andy Fitze.

Fitze, i shpallur “Top CIO i dekadës”, është edhe kapiten: ai ka udhëhequr 23 ekspedita në Arktik dhe Atlantikun Verior dhe në vitin 2023 arriti deri në 80°37′ gjerësi veriore, pranë Svalbardit.

Biletat janë në shitje në growth-tank.com dhe vlejnë për të dyja ditët.

Emrat e tjerë të folësve dhe agjenda e plotë pritet të publikohen në ditët në vijim.

Ndryshe, GrowthTank organizohet nga agjencia Growzillas dhe mbahet në Prishtinë që nga viti 2021.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.