Një person është arrestuar në Kamenicë, nën dyshimin se kishte mashtruar 3 qytetarë duke u premtuar termine për viza pune në Gjermani.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, i dyshuari u kishte marrë viktimave nga 1.200 euro, gjithsej 3.600 euro, në tetor të vitit 2023.
Ai dyshohet se kishte premtuar sigurimin e termineve për viza pune në Gjermani, por nuk e kishte përmbushur marrëveshjen.
I dyshuari, i cili ishte në kërkim policor, është arrestuar më 11 nëntor 2026.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.
Rasti është cilësuar si “Mashtrim”.
Burimi: lajmi.net ↗

