Aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina, ka kritikuar pushtetin për mënyrën se si e prezanton Policinë e Kosovës, duke kërkuar investime që, sipas saj, do ta bënin institucionin më efektiv në mbrojtjen e grave.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, Sijarina ka vlerësuar se fuqia e policisë shfrytëzohet për përfitime politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për angazhimin e saj në veri të vendit.
“Ne e kemi një polici të fortë, por e kemi një polici të fortë e cila kapitalizohet për t’u dërguar në veri. Domethënë, e kemi një polici të fortë, të cilën pushteti e reklamon si të tillë kur i duhet për poena politikë”, ka deklaruar ajo.
Sijarina i ka bërë këto komente gjatë diskutimit për përgjegjësinë institucionale dhe ndikimin që mund të ushtrojnë individë të fuqishëm brenda institucioneve.
– YouTube www.youtube.com
Sipas saj, prezantimi publik i policisë si institucion i fortë duhet të shoqërohet me investime konkrete në efektivitetin e saj dhe në mënyrën se si trajtohen gratë që kërkojnë ndihmë.
“Meqë po e reklamojmë këtë polici të fortë kur na duhet për t’u rritur në elektorat ose për të ndërtuar një përshtypje tjetër te popullata, duhet të investojmë në atë që po kërkojmë ne: të kemi një polici e cila është efektive dhe e cila u beson grave”, ka thënë Sijarina.
Ajo ka theksuar se kërkesa e aktivisteve është që forca e institucionit të reflektohet edhe në reagimin ndaj shqetësimeve të grave dhe në mbrojtjen që ato marrin kur u drejtohen organeve të sigurisë. /Telegrafi/.

