Ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, ka përgëzuar Michael Bogachekun, në nominimin e tij për t’u bërë ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Përmes një deklarimi publik, Dugolli u shpreh se mezi pret të bashkëpunojë me të, transmeton IndeksOnline.
“Urime Michael Bogachek për emërimin e tij për të shërbyer si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Republikën e Kosovës.
Ne mezi presim të punojmë së bashku për të forcuar më tej miqësinë e qëndrueshme dhe marrëdhënien unike midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara” shkroi Dugolli.
Kandidaturën e Bogachekut, Shtëpia e Bardhë e dërgoi në Senat, aty ku do të votohet për të.
Bogachek është sipërmarrës me mbi 25 vjet përvojë në udhëheqjen e inovacionit në fushën e kujdesit shëndetësor, teknologjisë dhe qeverisjes.
Ai kishte shërbyer si drejtor ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS).
Në këtë cilësi, Bogachek mbikëqyri qeverisjen dhe integritetin e operacioneve institucionale, duke përfshirë Shërbimet e Përgjithshme, Prokurimin dhe Mbikëqyrjen e Menaxhimit, Shërbimet Financiare, Burimet Njerëzore, si dhe Shërbimet e Teknologjisë së Informacionit; ai gjithashtu mbikëqyr Zyrën e sapokrijuar për Menaxhimin e Riskut.

