Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës po sigurohet që stafi i saj të mos ketë vështirësi në organizimin e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit.
Për këtë qëllim, Presidenca ka lidhur një kontratë në vlerë prej 273 mijë e 3 eurosh, që përfshin sigurimin e shërbimeve të transportit ajror dhe blerjen e biletave të avionit për nevojat e institucionit.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, marrëveshja është paraparë të zgjasë 36 muaj, ndërsa procedura e prokurimit është zhvilluar përmes procedurës së hapur, raporton IndeksOnline.
Kontrata i është dhënë kompanisë “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K., me seli në Prishtinë, pasi në garën për këtë tender kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë, raporton IndeksOnline.
Kontrata është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 10 nëntor.
Në dokumentacionin e prokurimit thuhet se bëhet fjalë për shërbime të udhëtimit me aeroplan për nevojat e Zyrës së Presidentes, ndërsa relacionet e udhëtimeve nuk janë përcaktuar paraprakisht.
Vlera e parashikuar fillimisht për këtë kontratë ishte 400 mijë euro, ndërsa kontrata përfundimtare është dhënë për 273,003 euro. /IndeksOnline/

