Borussia Dortmundi dëshiron t’ia ‘ndalojë’ Felix Nmechas festimin e golave, pasi ai lidhet me një fushatë të organizatës “Ballers in God”.
“Ballers in God” (BIG) është themeluar në vitin 2015 nga ish-mesfushori i Tottenhamit, John Bostock, dhe shërben si një platformë ku futbollistët krijojnë lidhje mes tyre përmes besimit të përbashkët të krishterë.
Në Instagram, kjo organizatë ka afro 800 mijë ndjekës dhe është e lidhur me emra të njohur të futbollit, si Kaka, Eberechi Eze, Antoine Semenyo dhe Trevoh Chalobah, të cilët kanë marrë pjesë në aktivitete të ndryshme të saj.
Rrjeti pasqyron rritjen e numrit të futbollistëve që po e shprehin publikisht përkushtimin e tyre ndaj Jezu Krishtit, përmes rrjeteve sociale dhe intervistave.
Organizata shet produkte me logon e saj, si dhe organizon rregullisht takime lutjesh dhe aktivitete të ndryshme.
Megjithatë, ajo është vënë në qendër të kritikave nga grupi i tifozëve të Borussia Dortmundit, për shkak të festimit të fundit të Nmechas.
Mesfushori shënoi dy gola në fitoren 2-1 të Dortmundit ndaj Elversbergut dhe në të dy rastet festoi duke drejtuar gishtin drejt qiellit, duke hequr një kurorë imagjinare nga koka dhe duke e vendosur në tokë.
Nmecha ishte njëri prej pesë futbollistëve që morën pjesë në këtë festim, së bashku me Jair Cunhan, Mark McKenzie, Marcel Lavinier dhe Mauricio Pradon, në kuadër të një fushate të quajtur “The King’s Return” (Kthimi i Mbretit).
Duke iu referuar gjestit të vendosjes së kurorës në tokë, “Ballers in God” kishte shkruar: “Qoftë pas shënimit të një goli apo në një moment reflektimi, këta futbollistë po i përdorin platformat e tyre për t’i drejtuar njerëzit drejt Mbretit të Mbretërve! Futbolli mund të sjellë duartrokitje, trofe dhe lavdi, por është vetëm NJË që e meriton adhurimin tonë”.
Megjithatë, tifozët e Dortmundit kanë kundërshtuar këtë festim, duke ngritur shqetësime për organizatën “Ballers in God”.
Ata pretendojnë se hulumtimet e realizuara nga “ARD”, revista “MONITOR” dhe emisioni sportiv “Sportschau” kanë dokumentuar se në qarqet që përdorin shërbimet misionare të kësaj organizate, homoseksualiteti është përshkruar si mëkat, ndërsa aborti si plan i Satanait.
Në një komunikatë të gjatë, grupi i tifozëve të Dortmundit ka theksuar gjithashtu se hulumtimet kanë zbuluar promovimin e qëndrimeve jashtëzakonisht konservatore kundër homoseksualitetit dhe identitetit transgjinor.
Ndërkohë, mediumi gjerman “WDR” raporton se klubi do t’i kërkojë organizatës “Ballers in God” që të mos e përfshijë më Nmechan në materialet e saj promovuese.
Gjithashtu, Dortmundi pritet t’i kërkojë ish-futbollistit të akademisë së Manchester Cityt që të mos vazhdojë me festimin e njëjtë të golave.
Pas kritikave, “Ballers in God” ka reaguar përmes një postimi në Instagram.
“Ne inkurajohemi nga lëvizje të udhëhequra nga vetë futbollistët, si ‘The King’s Return’, ku lojtarët marrin iniciativën për ta shprehur besimin e tyre në Jezusin. Dëshira jonë nuk është vetëm ta ndajmë shpresën tonë, por edhe të tregojmë dashuri dhe respekt ndaj të gjithëve, përfshirë ata që nuk i ndajnë bindjet tona. Fokusi ynë ka qenë gjithmonë dhe do të mbetet që njerëzit t’i drejtojmë drejt Jezusit, me mirësi dhe dashuri”, thuhet në reagimin e organizatës.
Edhe vetë Nmecha ka reaguar lidhur me polemikat, duke sqaruar kuptimin e festimit të tij.
Mesfushori, i cili kishte zhvilluar bisedime me Jurgen Kloppin gjatë grumbullimit me Kombëtaren e Gjermanisë, ka shkruar: “Jam njoftuar se festimi im i fundit pas golit ka shkaktuar disa keqkuptime. Festimi im nuk ka për qëllim të promovojë veten apo ndonjë organizatë. Përkundrazi, ai simbolizon vendosjen e ‘kurorës’ sime përpara Mbretit që do të vijë së shpejti dhe drejtimin e vëmendjes te Jezusi, shpresa dhe forca ime! Mesazhi im nuk ka pasur kurrë të bëjë me promovimin e jotolerancës, diskriminimit apo urrejtjes në çfarëdo forme. Si të krishterë, mesazhi ynë është dashuria dhe respekti për të gjithë, pavarësisht prejardhjes, bindjeve apo botëkuptimit të tyre”.
Nmecha e përfundoi reagimin e tij duke cituar një varg nga Ungjilli sipas Gjonit, kapitulli 3, vargu 16: “Sepse Perëndia e deshi aq shumë botën…”.

