KORREKT / SOT10 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ahmeti: Tetë shkresa për themelimin e ndërmarrjes “Ulpiana” në Lipjan, por ende asnjë përgjigje nga ministria

Ahmeti: Tetë shkresa për themelimin e ndërmarrjes “Ulpiana” në Lipjan, por ende asnjë përgjigje nga ministria

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka reaguar lidhur me procesin e themelimit të Ndërmarrjes Komunale “Ulpiana”, duke bërë të ditur se për këtë çështje komuna ka dërguar tetë shkresa zyrtare në institucionet përkatëse, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka publikuar kronologjinë e veprimeve institucionale, duke theksuar se procesi i themelimit të ndërmarrjes ka nisur në vitin 2021.

Sipas tij, vendimi për themelimin e Ndërmarrjes Komunale “Ulpiana” është miratuar nga Kuvendi Komunal më 29 prill 2021, ndërsa ligjshmëria e tij është konfirmuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) më 21 maj të po atij viti.

Më 17 qershor 2021, Komuna e Lipjanit ka dorëzuar aplikacionin së bashku me dokumentacionin e kompletuar, ndërsa më 11 gusht 2022 është mbajtur takimi me Këshillin Ndërministror.

Ahmeti ka bërë të ditur se Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, e udhëhequr nga drejtori Valon Pacolli, ka dërguar gjithsej tetë shkresa zyrtare në institucionet përkatëse.

Shkresat janë dërguar më 29 dhjetor 2022, 5 shtator 2023, 29 dhjetor 2023, 7 shkurt 2024, 24 shkurt 2026, 24 prill 2026, 22 tetor 2026 dhe 23 tetor 2026.

“Tetë shkresa zyrtare. Asnjë përgjigje. Fare”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka theksuar se, pavarësisht komunikimeve të vazhdueshme telefonike dhe kërkesave zyrtare, komuna nuk ka marrë asnjë përgjigje nga ministria përkatëse, as pozitive dhe as negative.

Sipas Ahmetit, themelimi i kësaj ndërmarrjeje është i rëndësishëm për shkak të problemeve me të cilat po përballen qytetarët e Lipjanit në shërbimin e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave.

Ai ka vlerësuar se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” nuk ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar shërbim efikas në territorin e Komunës së Lipjanit.

Madje, sipas tij, edhe përfaqësuesit e menaxhmentit të kësaj kompanie kanë deklaruar se nuk posedojnë resurset e nevojshme për përmbushjen e shërbimeve në mënyrë efikase.

Ahmeti ka thënë se Komuna e Lipjanit në disa raste i ka dalë në ndihmë kompanisë “Pastrimi”, duke ofruar mekanizma dhe resurse të tjera për përmirësimin e shërbimeve, por këto përpjekje nuk kanë siguruar një zgjidhje të qëndrueshme.

Për këtë arsye, ai ka bërë të ditur se komuna është detyruar të ndërmarrë hapa konkretë dhe të kontraktojë një operator privat për shërbimet e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave.

Në reagimin e tij, kryetari i Lipjanit ka theksuar se komuna i ka përmbushur procedurat dhe obligimet që i takojnë në procesin e themelimit të ndërmarrjes.

“Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigje ndaj një kërkese të ligjshme të një komune dhe interesit të qytetarëve të saj”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka përfunduar duke thënë se Komuna e Lipjanit do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje dhe të ushtrojë përgjegjësitë e saj për të siguruar shërbime më cilësore për qytetarët. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.