Policia e Kosovës ka shpallur konkurs të ri për gradimin e zyrtarëve policorë në gradën “Rreshter”, duke identifikuar 430 pozita të lira për këtë gradë.
Konkursi i ri vjen pas anulimit të procesit të mëparshëm të gradimit, të shpallur në vitin 2024, i cili ishte përcjellë me ankesa dhe dyshime për parregullsi, ndërsa për këtë proces kishte rekomanduar anulimin edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Sipas një memorandumi zyrtar të siguruar nga Reporteri, Drejtoria për Zhvillim të Performancës dhe Karrierës në Policinë e Kosovës ka shpallur fillimin e procesit të gradimit, bazuar në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurën e gradimit të zyrtarëve policorë dhe aprovimin e Drejtorit të Përgjithshëm.
Në dokument thuhet se, bazuar në analizën e nevojave për personel të graduar, strukturën organizative dhe listën e personelit të autorizuar, janë identifikuar gjithsej 430 pozita të lira për gradën “Rreshter”.
Procesi, sipas memorandumit, do të zhvillohet duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë, meritës dhe llogaridhënies.
Përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet sipas renditjes në listën meritore dhe kritereve të zbatueshme të gradimit. Të gjitha fazat e procesit, aktet dhe njoftimet përkatëse janë vënë në dispozicion në Intranetin e Policisë së Kosovës.
Problematikat që përcollën konkursin e vitit 2024
Procesi i mëparshëm për gradimin në rreshter ishte shpallur në fillim të vitit 2024 dhe parashihte 355 pozita të lira. Megjithatë, ai u anulua pas ankesave të kandidatëve dhe dyshimeve për parregullsi.
Inspektorati Policor i Kosovës kishte nisur inspektimin e këtij procesi pas dyshimeve të bëra publike dhe pranimit të ankesave nga pjesëmarrësit në konkurs.
Në dhjetor të vitit 2024, kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj, kishte folur për mangësitë e evidentuara gjatë inspektimit.
Sipas tij, një nga problemet kishte të bënte me kriteret e konkursit dhe dilemat nëse një gjeneratë e zyrtarëve policorë i plotësonte kushtet për t’iu nënshtruar testimit, për shkak të mosplotësimit të afatit kohor të qëndrimit në një gradë të caktuar.
Hodaj kishte përmendur edhe mospërputhje ndërmjet disa kërkesave të konkursit dhe rregulloreve përkatëse, si dhe mungesën e monitorimit të duhur përmes kamerave gjatë testimit.
Testi ishte organizuar në pesë qendra të ndryshme, gjë që, sipas tij, kishte vështirësuar menaxhimin dhe mbikëqyrjen e procesit.
Pas inspektimit, IPK-ja i kishte rekomanduar Policisë së Kosovës që të qartësonte bazën ligjore, të harmonizonte kriteret e konkursit me legjislacionin dhe të përmirësonte organizimin teknik të procesit.
Pas këtyre rekomandimeve, Policia e Kosovës kishte vendosur ta anulonte konkursin.
Tash, me shpalljen e konkursit të ri për 430 pozita, pritet të nisë një proces i ri i gradimit të zyrtarëve policorë në gradën “Rreshter”.

