Ekonomia e Kosovës vijon të rritet, por mbetet e varur nga konsumi, importet dhe remitancat, ndërsa sektorët prodhues kanë humbur peshë. Krizat politike, problemet me energjinë dhe emigracioni po frenojnë potencialin e zhvillimit. Edhe struktura e kompanive më të mëdha pasqyron këtë model, me mbizotërimin e tregtisë, karburanteve dhe energjisë.
Ekonomia e Kosovës, gjatë vitit 2025, ka kaluar në një sërë sfidash si pasojë e ngërçit institucional, çështjes së energjisë, deficitit tregtar, inflacionit dhe emigracionit.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ka publikuar të dhënat sipas të cilave ekonomia e Kosovës në vitin 2025 shënoi rritje prej 3.62%.
Kontributin më të madh në rritje e dhanë taksat neto mbi produktet, me 1.37 pikë përqindjeje, dhe tregtia e shërbimet, me 1.32 pikë përqindjeje, ndërsa industria kontribuoi pothuajse në mënyrë të papërfillshme, me vetëm 0.02 pikë përqindjeje, sipas të dhënave të ASK-së.
Por kush janë TOP 100 kompanitë në Kosovë gjeneruan gati 8 miliardë euro të ardhura?
100 kompanitë më të mëdha në Kosovë qarkulluan 7.96 miliardë lekë në vitin 2025, sipas të dhënave që Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), dha për Revistën Monitor. Kjo shumë është sa 72% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të 2025-s.
Sipas ATK-së, fitimi neto i top 100 bizneseve në Kosovë ishte 914.3 milionë euro.
10 shoqëritë më të mëdha në Kosovë raportuan së bashku 2.56 milionë euro qarkullim vjetor, sa 23% e PBB-së.
Në listën e 10 më të mëdhave mbizotërojnë rrjetet e supermarketeve, tregtisë me pakicë, energjisë e tregtimit të karburanteve, në linjë me dhjetëshen e shoqërive në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, sidomos Malit të Zi e Bosnjë-Hercegovinës.
ATK dha për “Monitor” vetëm listën e 100 shoqërive më të mëdha si emra, ndërsa tha se nuk i lejohet të publikojë shifrat. Kompanitë mund të dorëzojnë bilancet e tyre në Ministrinë e Financave, ku publikohen online po vetëm një pjesë e tyre i kanë bërë publike ato.
Për rrjedhojë, në renditjen e 100 kompanive të Kosovës mungojnë shifrat për shumë subjekte.
10 kompanitë me qarkullimin më të lartë në Kosovë
Kosovo Electricity Supply Company J.S.C. (KESCO)
Biznesi nr. 1 në Kosovë është Kosovo Electricity Supply Company J.S.C. (KESCO), kompani që merret me furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve në Kosovë, përfshirë ekonomitë familjare, bizneset dhe institucionet publike. Kompania e ushtron veprimtarinë si furnizues i shërbimit universal të energjisë elektrike.
Aktivitetet e saj përfshijnë furnizimin e konsumatorëve me energji elektrike, faturimin, mbledhjen e pagesave dhe ofrimin e shërbimeve për klientët. Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 440 milionë euro në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake.
KESCO (Kosovo Electricity Supply Company) është themeluar në janar 2015 nga konsorciumi turk Limak–Çalık, pas privatizimit të sektorit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.
Viva Fresh sh.p.k.
Kompania e dytë më e madhe në Kosovë është Viva Fresh sh.p.k., me aktivitet në sektorin e tregtisë me pakicë, kryesisht përmes rrjetit të supermarketeve dhe hipermarketeve Viva Fresh Store.
Kompania ofron një gamë të gjerë produktesh ushqimore dhe joushqimore, përfshirë artikujt e konsumit të përditshëm, frutat, perimet, produktet e mishit, veshmbathjet dhe artikujt për amvisëri. Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare, rrjeti ka mbi 113 dyqane në 32 qytete të Kosovës dhe më shumë se 5,000 punonjës.
Kompania ka gjithashtu një qendër të madhe logjistike, e cila mbështet furnizimin dhe shpërndarjen e produkteve në rrjetin e saj të shitjes.
Përmes zgjerimit të rrjetit dhe investimeve në infrastrukturë, Viva Fresh është bërë një nga ndërmarrjet kryesore të sektorit të shitjes me pakicë në Kosovë. Sipas pasqyrave financiare, kompania në fjalë e mbylli vitin 2025 me rreth 370 milionë euro qarkullim, me rritje prej 11.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Fitimi i shoqërisë para taksave ishte 20.8 milionë euro, nga 21.6 milionë euro vitin e mëparshëm.
- ELKOS sh.p.k.
Në vendin e tretë është ELKOS sh.p.k., me veprimtari kryesore në importin, shitjen me shumicë dhe distribuimin e produkteve të konsumit. Kompania, me kapital vendas, është pjesë e ELKOS Group, e cila përfaqëson rreth 90 marka ndërkombëtare dhe operon në disa sektorë të tregtisë.
Në kuadër të grupit bëjnë pjesë edhe zinxhiri i qendrave tregtare ETC, Elkos Center dhe Elkos Distribution. Përmes rrjetit të saj të furnizimit dhe shpërndarjes, kompania furnizon markete dhe biznese të ndryshme në Kosovë dhe në rajon.
Portofoli i produkteve përfshin artikuj ushqimorë, pije, produkte higjienike dhe mallra të tjera të konsumit. ELKOS Group ka zhvilluar gjithashtu veprimtari në sektorin bujqësor dhe në tregtinë e produkteve për ndërtim e amvisëri.
Sipas të dhënave të pasqyrave financiare, shoqëria raportoi të ardhura prej gati 249 milionë euro në vitin 2025, me rritje të lehtë prej 2.1% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 9.5 milionë euro, nga 14.7 milionë euro në vitin 2024.
Proex sh.p.k.
Në vendin e katërt është Proex sh.p.k., kompani e cila operon në sektorin e tregtisë me pakicë të produkteve ushqimore dhe mallrave të konsumit të përditshëm. Kompania është operatori i rrjetit të supermarketeve Interex, përmes të cilit ofron produkte ushqimore, pije, artikuj për amvisëri dhe mallra të tjera për konsumatorët.
Sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Proex ishte rrjeti i dytë më i madh modern i shitjes me pakicë të produkteve ushqimore dhe mallrave të konsumit në Kosovë, me 33 dyqane Interex, në kohën e publikimit të profilit të projektit.
Kompania ka selinë në Prishtinë dhe aktiviteti i saj përfshin menaxhimin e rrjetit të shitjes dhe furnizimin e dyqaneve me produkte të ndryshme. Proex gjithashtu ka përfituar nga financimi i BERZH-it për të mbështetur investimet dhe zgjerimin e veprimtarisë së saj.
Kompania ka të hyra vjetore mbi 220 milionë euro me rritje prej 8.1% në raport me vitin e mëparshëm. Fitimi para taksave ishte 16.7 milionë euro, nga 15.4 milionë euro vitin e mëparshëm.
BUÇAJ sh.p.k.
Në vendin e pestë ndodhet BUÇAJ sh.p.k., kompani me kapital vendas e specializuar në importin, shitjen dhe distribuimin e produkteve ushqimore, pijeve dhe artikujve të higjienës. Kompania bashkëpunon me marka të njohura ndërkombëtare dhe furnizon markete, restorante, kafene dhe biznese të tjera në Kosovë. Aktiviteti i saj përfshin menaxhimin e furnizimit dhe shpërndarjes së produkteve në tregun vendor, duke lidhur prodhuesit dhe furnitorët me pikat e shitjes.
Përmes portofolit të gjerë të produkteve dhe rrjetit të distribuimit, BUÇAJ sh.p.k. përbën një nga operatorët e rëndësishëm në sektorin e tregtisë dhe furnizimit me produkte të konsumit në Kosovë. Kompania në vitin 2025 kishte mbi 225 milionë euro qarkullim, me rritje prej 18% me bazë vjetore.
Fitimi para taksave në 2025-n arriti në 9.4 milionë euro, nga 10.5 milionë euro vitin e mëparshëm.
EX FIS sh.p.k.
Në vendin e gjashtë është EX FIS sh.p.k., kompani me kapital nga Kosova, e specializuar në tregtinë dhe shpërndarjen e derivateve të naftës. Shoqëria merret me furnizimin dhe shitjen e benzinës, naftës dhe produkteve të tjera energjetike, si dhe operon në tregtinë me shumicë dhe pakicë të karburanteve.
Aktiviteti i saj përfshin gjithashtu transportin dhe logjistikën e derivateve, ndërsa përmes rrjetit të pikave të karburantit u shërben konsumatorëve individualë dhe bizneseve. Kompania kishte të hyra në 2025 mbi 223 milionë euro, me rritje 4.2% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 22.8 milionë euro, nga 15 milionë euro vitin e mëparshëm.
HIB Holding sh.p.k
HIB Holding sh.p.k., kompani me kapital nga Kosova, është e specializuar në tregtinë dhe shpërndarjen e derivateve të naftës, hoteleri dhe gastronomi.
Kompania ka aktivitete me furnizimin dhe shitjen me shumicë dhe pakicë të derivateve të naftës, operimin e marketeve, restoranteve, si dhe hotelit me pesë yje Hotel Emerald. Aktiviteti i saj përfshin gjithashtu transportin e karburanteve dhe ofrimin e shërbimeve të akomodimit dhe gastronomisë përmes 24 pikave të shitjes në Kosovë.
Grupi kishte të ardhura nga shitjet në vitin 2025 prej 218.97 milionë eurosh, me rritje vjetore krahasuar me vitin paraprak, sipas bilancit të konsoliduar.
Fitimi para tatimit ishte 8.4 milionë euro, nga 6.7 milionë euro vitin e mëparshëm. Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave nga bilanci, kryesisht vijnë nga shitja e derivateve të naftës me shumicë dhe pakicë (mbi 174.5 milionë euro), pasuar nga shitjet në markete (rreth 20.6 milionë euro), shërbimet e restoranteve (rreth 18 milionë euro) dhe shërbimet e hotelit (rreth 5.8 milionë euro), monitor.
- NOA ENERGY TRADE sh.p.k.
NOA ENERGY TRADE sh.p.k. – Dega në Kosovë, është degë e kompanisë shqiptare NOA Energy Trade, e specializuar në tregtimin dhe furnizimin me shumicë të energjisë elektrike.
Kompania operon në tregun energjetik të Kosovës dhe bashkëpunon me prodhues të energjisë dhe tregtarë të tjerë në rajon e në tregjet europiane. Aktiviteti i saj përfshin tregtimin e energjisë elektrike dhe furnizimin e pjesëmarrësve të tregut përmes marrëveshjeve tregtare.
Kompania është e regjistruar në Prishtinë dhe figuron në regjistrin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) si pjesëmarrëse në tregun e energjisë elektrike.
Ngritja e saj vrullshme ka ndodhur sidomos gjatë viteve të fundit. Të ardhurat e kompanisë ishin 206.7 milionë euro në vitin 2025, me rritje 5.7% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 5.3 milionë euro, nga 10.4 milionë euro në vitin 2024.
Korporata Energjetike e Kosovës sh.a.
Korporata Energjetike e Kosovës SH.A. (KEK) është ndërmarrje publike në pronësi 100% të Republikës së Kosovës, e cila merret me prodhimin e energjisë elektrike dhe aktivitetet minerare, përfshirë nxjerrjen e linjitit. Kompania operon me termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të cilat përbëjnë kapacitete të rëndësishme për furnizimin e vendit me energji elektrike.
Aktiviteti i saj përfshin shfrytëzimin e rezervave të linjitit, mirëmbajtjen e kapaciteteve prodhuese dhe realizimin e investimeve për modernizimin e njësive gjeneruese.
KEK ka rol kyç në sektorin energjetik të Kosovës dhe në sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Selia qendrore e kompanisë ndodhet në Prishtinë. Të ardhurat e shoqërisë ishin rreth 200 milionë euro në vitin 2025, sipas të dhënave paraprake,
Albapetrol Group sh.p.k
Në vendin e 10 është Albapetrol Group sh.p.k. kompani me kapital vendas që operon në sektorin e tregtisë së derivateve të naftës, me aktivitet në shitjen me pakicë dhe shumicë të karburanteve. Sipas uebfaqes zyrtare, kompania ka pika të shitjes së karburanteve dhe depo për furnizimin e klientëve me shumicë.
Ajo disponon mjete transportuese për importin dhe shpërndarjen e derivateve, si dhe furnizon kompani të tjera që operojnë në tregun e karburanteve.
Përveç tregtisë së derivateve, aktivitetet e regjistruara përfshijnë edhe transportin e mallrave, magazinimin dhe disa veprimtari të tjera tregtare e ndërtimore.
Kompania kishte të ardhura prej 166.2 milionë eurosh në vitin 2025, me rritje 27% me bazë vjetore. Fitimi para taksave ishte 812 mijë euro, nga 885 mijë euro vitin e mëparshëm.

