Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po qëndron në Francë, në kuadër të Forumit të Paqes që do të mbahet në Paris, ka takuar të dielën kosovarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Francë, shkruan Zeri.info.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, kreu i ekzekutivit, ka bërë të ditur se, përmes “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga mërgata për investime që realizohen në Kosovë.
“Nëpërmjet “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga mërgata për investime që realizohen në Kosovë. Për kreditë që merren për investimet e tyre, shteti ynë do të jetë garant, duke shërbyer si hipotekë për ta. Kësisoj mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar. Ndërkaq, me Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë”, ka shkruar Kurti ndër të tjera.
Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:
Përfshirja sa më madhe dhe më e gjerë e bashkatdhetarëve në jetën publike e institucionale në Kosovë, përveç lidhjes së tyre me vendlindjen, i shërben forcimit të institucioneve të Republikës, me përvojën dhe ekspertizën, me kulturën dhe shprehinë e punës, që sjellin nga demokraci e shtete të zhvilluara.
Pikërisht për këtë diskutuam me pjesëtarë të mërgatës sonë të çmuar në Francë, të cilët pata kënaqësi t'i takoj të dielën, para nisjes së Forumit të Paqes në Paris.
Nëpërmjet “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga mërgata për investime që realizohen në Kosovë. Për kreditë që merren për investimet e tyre, shteti ynë do të jetë garant, duke shërbyer si hipotekë për ta. Kësisoj mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar. Ndërkaq, me Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë. /Zëri

