Ministri i Jashtëm iranian, Saeed Abbas Araghchi, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara, duke i kërkuar Uashingtonit të vendosë nëse do të vijojë rrugën e negociatave apo do të zgjedhë përballjen ushtarake.
Në një reagim në platformën X, Araghchi shkroi se “amerikanët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, tani është koha që Shtëpia e Bardhë të bëjë të vetën”.
Kryediplomati iranian paraqiti edhe dy alternativat që, sipas tij, ka përpara administrata amerikane. Ai tha se propozimi i Teheranit mbetet i vlefshëm dhe përfshin përfundimin e luftës në të gjitha frontet.
“Propozimi ynë dyditor është i vlefshëm; ju merrni atë që kërkohet, përfshirë fundin e luftës në të gjitha frontet, dhe do të shihni rezultate”, deklaroi Araghchi.
Ndërsa për alternativën tjetër, ministri iranian paralajmëroi se zgjedhja e luftës do të përballej me kundërpërgjigjen e luftëtarëve iranianë, të cilët i përshkroi si vigjilentë dhe të sprovuar në betejë.
Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara deri më tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, ndërsa retorika mes dy vendeve vijon të jetë e ashpër.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk dëshiron një luftë me Iranin, por ka paralajmëruar se, nëse do të jetë e nevojshme, SHBA mund të shkatërrojë plotësisht infrastrukturën e vendit.

