Themeluesja e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini Beqiri, ka ndarë përvojën e saj personale pas lindjes së djalit të saj, Gencit, i cili sot është 21 vjeç dhe ka sindromën Down.
Ajo ka rrëfyer se diagnozën e kishte kuptuar vetëm pas lindjes, ndërsa në atë kohë ishte përballur me mungesë informacioni, trajtim joprofesional dhe paragjykime nga disa pjesëtarë të personelit shëndetësor.
Hajdini Beqiri theksoi se para 21 vjetësh vetëdija shoqërore për sindromën Down dhe personat me aftësi të kufizuara ishte shumë e ulët.
“Genci sot është 21 vjeç dhe, kur flasim për situatën para 21 vjetësh, gjithçka ka qenë shumë ndryshe. Në atë kohë, niveli i vetëdijes shoqërore ishte i ulët dhe paragjykimet ndaj personave me sindromën Down dhe personave me aftësi të kufizuara ishin të shumta. Faktin që Genci kishte sindromën Down e kuptova pas lindjes. Përvoja në Klinikën e Gjinekologjisë nuk ishte e lehtë, pasi jemi përballur me mungesë informacioni, trajtim joprofesional dhe qasje jonjerëzore nga disa pjesëtarë të personelit shëndetësor. Gjatë këtyre 21 viteve kemi pasur fatin të takojmë edhe profesionistë të përkushtuar, por, për fat të keq, kemi hasur edhe në paragjykime që nuk kanë hezituar t’i shprehin ndaj meje, si nënë e re dhe për herë të parë”, tha Beqiri për Expose, prodhim i GazetaBlic.

