Themeluesja e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini Beqiri, ka rrëfyer se përvoja personale si nënë e një fëmije me sindromën Down ka qenë një përparësi në mbështetjen e familjeve të tjera.
Ajo ka theksuar se kjo përvojë e ka ndihmuar të kuptojë më mirë sfidat e prindërve, ndërsa në raport me institucionet ka marrë rolin e përfaqësueses së komunitetit, duke kërkuar që nevojat e tyre të dëgjohen dhe adresohen.
“Kur flasim për aspektin personal, përvoja ime si nënë e një fëmije me sindromën Down ka qenë një përparësi në raport me prindërit e tjerë, përfshirë edhe baballarët. Vetë fakti që shoqata është themeluar nga prindërit dhe është organizatë e komunitetit, ua ka lehtësuar prindërve komunikimin me ne dhe kërkimin e mbështetjes. Më vjen mirë që jemi një komunitet mirë i organizuar dhe që kemi një bashkëpunim mjaft të mirë mes prindërve”.
“Ndërsa, sa i përket raportit me institucionet dhe palët e tjera, gjatë punës sime, në shumë raste më është dashur të lë anash rolin tim si nënë. Në momente dhe rrethana të caktuara, kam qenë në rolin e përfaqësueses së organizatës dhe më është dashur të jem shumë e zëshme për t’i adresuar sa më mirë nevojat e komunitetit të personave me sindromën Down”.
“Natyrisht, në disa momente, vetë fakti që je prind të bën të jesh më emocional, sepse është krejt ndryshe kur i përjeton nga afër sfidat me të cilat përballesh si prind i një fëmije me aftësi të kufizuara në Kosovë”, thotë ajo për Exopse, prodhim i GazetaBlic.

