Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare (25.10.2026) shënoi fundin simbolik të trashëgimisë politike të Millosheviqit, por me dilemën nëse ky do të jetë edhe fundi i politikës së tij hegjemoniste. Sipas rezultateve të Komisioni Republikan Zgjedhor, Lista Studentore ka fituar 53.01 përqind të votave dhe një shumicë të konsiderueshme prej 140 vendesh në Parlament (RIK, 03.11.2026), duke i dhënë fund regjimit shumëvjeçar të Aleksandar Vuçiqit, lista e të cilit ka marrë 38.98 përqind.
Por, a mund të matet rëndësia e fitores vetëm me rotacionin e pushtetit? Dilema kryesore për qeverinë e re është orientimi që do të marrë Serbia në politikën e jashtme. Pavarësisht nëse bashkimi studentor mund të prodhojë ‘transformim demokratik’, ata i pret një listë e gjatë sfidash që lidhen me Kosovën, retorikën nacionaliste, integrimin evropian dhe sanksionet ndaj Rusisë (Reuters, 26/10/2026).
Dilemat strategjike të rotacionit
Rotacioni është hapi i parë i rëndësishëm, por jo edhe i mjaftueshëm për një Serbi demokratike. Transformimi i qëndrueshëm kërkon ndryshim substancial të qëndrimit ndaj Kosovës, si dhe shkëputje nga trashëgimia politike e konfliktit, pasigurisë dhe tensioneve rajonale. Prandaj, demokratizimi i Serbisë nuk mund të matet vetëm me cilësinë e demokracisë së saj, por edhe me qasjen ndaj normalizimit të raporteve me Kosovën, përmes njohjes reciproke, si parakusht i një rendi të bazuar në dialog e siguri të qëndrueshme. Pa këto ndryshime, ekziston rreziku që elita e re politike t`i trashëgojë të njëjtat modele të ish-pushtetit, të cilat e kanë penguar demokratizimin e brendshëm të Serbisë dhe konsolidimin e stabilitetit rajonal (Bonomi, 26/10/2026).
Në teorinë e tranzicionit demokratik, ndryshimi i aktorëve qeverisës është vetëm njëra prej fazave të mundshme të ndryshimit politik (Lachapelle & Hellmeier, 2024:123). Siç argumenton Thomas Carothers (2002) në artikullin “The End of the Transition Paradigm”, tranzicioni politik nuk është proces i njëtrajtshëm, për shkak se hapja e sistemit mund të pasohet nga konsolidimi demokratik, por të shoqërohet edhe nga rezistenca, bllokimi institucional ose rikthimi i praktikave autoritare (Carothers, 2002:17).
Lista fituese në Serbi është formuar si një aleancë e gjerë qytetare, e bashkuar kryesisht rreth luftës kundër krimit, korrupsionit dhe modelit të mëparshëm qeverisës. Padyshim se kjo i jep legjitimitet të konsiderueshëm, por jo edhe garanci për kohezionin politik në ushtrimin e pushtetit, derisa anëtarë e përkrahës të saj, kanë dallime të mëdha sa i përket integrimit evropian, Kosovës dhe raporteve me Rusinë. Devra C. Moehler dhe Staffan I. Lindberg (2009), në artikullin e tyre “Narrowing the Legitimacy Gap: Turnovers as a Cause of Democratic Consolidation”, theksojnë se demokracia e konsoliduar kërkon institucione që funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe pranohen si mekanizma legjitimë të zgjidhjes së konflikteve politike. Sipas këtyre autorëve, mbajtja e zgjedhjeve dhe zëvendësimi i elitës qeverisëse, nuk mjaftojnë për ta konsoliduar demokracinë (Moehler dhe Lindberg, 2009:1448).
Pikërisht këtu qëndron paradoksi i Listës Studentore. Ajo e ka fituar mbështetjen elektorale përmes kritikës ndaj ish-sistemit, ndërkohë që për çështje të politikës së jashtme ka shfaqur vazhdimësi të nacionalizmit tradicional serb (Bertuzzi, 2026). Analizat mbi Lëvizjen Studentore kanë vënë në pah një përbërje heterogjene me proevropianë, konservatorë e nacionalistë, që e bën të vështirë interpretimin e fitores së saj si orientim drejt demokracisë liberale (Ivanovic, 2026).
Kosova si provë e orientimit politik
Për Kosovën, fitorja e Listës Studentore është një zhvillim që kërkon analizë gjeopolitike, përtej simbolikës së ndërrimit të gjeneratave. Ndonëse kjo lëvizje u shfaq si alternativë ndaj ish-regjimit, qëndrimet e saj për Kosovën sugjerojnë se rotacioni nuk nënkupton apriori ndryshim të kornizave, përmes të cilave Serbia i projekton marrëdhëniet me fqinjët. Në këtë kuadër, Kosova mbetet një provë e rëndësishme për ta vlerësuar nëse do të arrijë ta shndërrojë mobilizimin qytetar në një politikë të jashtme të orientuar drejt dialogut e përgjegjësisë rajonale, apo do të vazhdojë të mbështetet në diskursin nacionalist, siç ka lënë të nënkuptohet para dhe gjatë fushatës elektorale.
Megjithatë, premisa e parë për vlerësimin është “Memorandumi për Kosovën dhe Metohinë” (17.05.2026), në të cilin Kosova paraqitet si “pjesë integrale e Serbisë dhe element thelbësor i identitetit kombëtar serb” (N1, 17/05/2026). Kjo qasje përbën një sfidë të rrezikshme për të ardhmen, sepse e zhvendos realitetin e Kosovës së pavarur nga rrafshi i dialogut për normalizim në pretendim territorial e identitar të Serbisë. Në këtë pikë shfaqet paradoksi kryesor i lëvizjes studentore serbe. Nga njëra anë, ajo kërkon llogaridhënie, shtet ligjor e transformim të kulturës politike, kurse nga ana tjetër, vazhdon me diskursin nacionalist dhe pretendimin territorial ndaj Kosovës (Komarčević, 19/05/2026).
Për shkak të kontekstit të brendshëm serb, paqartësia mund të interpretohet si kalkulim elektoral për ruajtjen e një koalicioni të gjerë me bindje të ndryshme politike, mirëpo pas fitores, ajo bëhet indikator i një vazhdimësie hegjemoniste që kërcënon paqen rajonale. Diskursi armiqësor nga përfaqësues të saj edhe pas zgjedhjeve, e favorizon qartë opsionin e dytë. Dejan Shoshkiq, njëri prej kandidatëve për Kryeministër i Lëvizjes Studentore, deklaroi për Euroneës (29.10.2026) se “Qeveria e re do ta konsideroj Kosovën konform Kushtetutës së Serbisë si krahinë autonome të saj”. Ndërkaq, me qëndrim edhe më të ashpër, sipas linjës së Daçiqit, eksponenti i saj, Radomir Saiçiq e quajti Kosovën “territor të pushtuar përkohesisht” (Ivanovic, 2026).
“Studentët” mes BE-së dhe Rusisë
Lista Studentore ka afirmuar qëndrim të njëjtë me politikën e mëparshme edhe ndaj Moskës. Sipas Tomasz Zornaczuk (2026), lëvizja nuk ka qëndrim të qartë për anëtarësimin në BE, derisa pa asnjë hezitim është deklaruar kundër sanksioneve ndaj Rusisë. Përbërja e saj është heterogjene, me orientime të ndryshme, nga mbështetës të integrimit evropian deri te nacionalistë që kërkojnë lidhje edhe më të afërta me Rusinë (Zornaczuk, 2026).
Kritika kryesore ndaj kësaj paqartësie lidhet me mundësinë e vazhdimësisë së politikës së balancimit, në vend të kthesës drejt një orientimi të ri strategjik. Qëndrimet e tilla dëshmojnë se ndryshimi i pushtetit nuk shoqërohet gjithnjë me rishikim të prioriteteve gjeopolitike. Përkundrazi, retorika e reformave demokratike ka gjasë të jetë thjesht fasadë e bashkejetesës me politikën e jashtme, të mbështetur në kalkulimet e njëjta të së kaluarës. Megjithatë, marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë nuk përcaktohen vetëm nga lidhjet historike, fetare e kulturore, por edhe nga interesat strategjike: siguria energjetike dhe mbështetja e Moskës në raport me Kosovën.
Kjo varësi krijon një dilemë të rëndësishme strategjike: sa më shumë që Beogradi gjen mbështetje te Rusia, aq më problematik bëhet përafrimi i politikës së tij me standardet dhe qëndrimet e BE-së. Prandaj, është e koha e fundit që Brukseli të mos e tolerojë më tutje “neutralitetin e kamufluar” të Serbisë. Është koha e fundit kur Perëndimi duhet ta detyrojë Beogradin të përcaktohet qartë për rrugën evropiane. Përndryshe, balancimi i mëtejshëm ndërmjet Moskës e Brukselit rrezikon të shndërrohet në “levë strategjike” që favorizon interesat revizioniste të Rusisë.
Nëse “studentët” synojnë vërtet një Serbi demokratike, ky proces kushtëzohet nga arrestimi i Radojçiqit, braktisja e strategjisë destabilizuese ndaj Kosovës, pranimi i realitetit në procesin e normalizimit, shkëputja nga ndikimi rus e kinez dhe ballafaqimi me trashëgiminë kriminale të viteve ’90.

