Një punëtor teknik i shkollës “Fehmi Lladrovci” në Drenas ka ndërruar jetë të tenjten në vendin e tij të punës.
Bëhet fjalë për Hajrush B. Berishën, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar drejtoria e shkollës përmes një njoftimi publik, transmeton Zeri.info.
Po ashtu për rastin, është njoftuar edhe përmes raportit 24-orësh të Policisë, ku thuhet se viktima ishte alivanosur në vendin e punës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Në shenjë respekti për të ndjerin, drejtoria e shkollës ka njoftuar se të premten, më 6 nëntor, nuk do të mbahet mësim.
“Familjes Berisha dhe të gjithë të afërmve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta”, thuhet në njoftimin e shkollës. /Zëri

