Një grabitje e rëndë ka ndodhur të enjten pasdite në Gjakovë, ku dy persona të dyshuar kanë marrë një sasi të madhe ari nga një lokal.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, dy viktima, një burrë dhe një grua, kanë raportuar se derisa ndodheshin në vendin e tyre të punës, në lokal kanë hyrë dy persona të armatosur, transmeton lajmi.net.
Njëri prej tyre dyshohet se ishte i pajisur me armë të gjatë, ndërsa tjetri me një çekan. Të dyshuarit kanë thyer dollapët dhe kanë marrë një sasi të konsiderueshme ari.
Pas grabitjes, ata janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur.
Policia ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur më 5 nëntor, rreth orës 17:14, ndërsa hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve janë duke vazhduar.
Raporti i plotë:
GRABITJE
Gjakovë / 05.11.2026 – 17:14. Dy viktimat një mashkull dhe një femër kosovare kanë raportuar se derisa kanë qenë në vendin e punës, kanë hyrë dy persona të dyshuar dhe të armatosur njëri me armë të gjatë e tjetri me një çekan dhe pasi kanë thyer dollapët kanë marrë një sasi të madhe ari. Të dyshuarit pas kryerjes së veprës janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur. Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore./lajmi.net/

